30 December 2017

HISTORIA E SHQIPËRISË PËRMES KARIKATURËS - The history of the Albania in cartoons

BOTIMET POETEKA - një dhuratë e çmuar për ata që dhurojnë libra edhe në fund të vitit. HISTORIA E SHQIPËRISË PËRMES KARIKATURËS (The history of the Albania in cartoons) 

Libër dy gjuhësh në shqip dhe anglisht nga BEN ANDONI 

Në vend të parathënies: ...Shqiptarët, të mësuar me ikonografi shumë patetike,me simbole të fortësh, që nuk i shkojnë fare përmasave të trupit të vendit tonë të brishtë, e kanë të paqartë vetë identitetin e tyre. Duket se shqiptarët rrallë e kanë parë veten si duhet në pasqyrën e historisë. Autori për t'u çliruar nga kjo ikonografi zgjodhi pikërisht ndihmën e karikaturës për të udhëtuar në historinë e identitetit shqiptar në 150 vitet e fundit. 
Një udhëtim i bukur dhe tejet i vështirë...

In place of the foreword:...The Albanians being used to high pathetic iconography and the symbols of "the strong" which do not suit their country's fragile body, have a vague image of their own identity. This means that they have rarely viewed their image in the mirror of history. The author trying to break free from this iconography chose exactly the help of the cartoon to travel in the history of the Albanian identity in the last 150 years. It was a beautiful and extremely difficult journey...

Seria: Libri studimor / Histori - Albanologji
Titulli: Historia e Shqipërisë përmes karikaturës 
Autor: Ben Andoni
Redaktore: Silvana Leka
Faqe 244 (të ilustruara me ngjyra)
Çmimi 2000 lekë
BOTIMET POETEKA, Tiranë, 2017

18 December 2017

Bukuria e “tradicionalistëve” e poetëve të viteve '50 VS Bukurisë së Re – për një estetikë ndryshe - vitet 60 në poezinë shqiptare

Nga Arian Leka


Studimet letrare kanë hedhur dritë mbi dokumente që dëshmojnë se, pas ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste shqiptare, Bukuria – si kategori estetike – do të merrte më pak vëmendje sesa qëllimi që iu ngarkua letërsisë së re në përmbushjen e misionit në jetën politike, shoqërore dhe kulturore. Letërsia e atyre viteve ofroi gjuhë të koduar dhe ikonografi të veçantë jo vetëm në artet figurative, por në të gjitha format e shprehjes artistike, përfshi këtu edhe poezinë si art i fjalës, duke implikuar brenda skemës zyrtare të artit jo vetëm të angazhuarit e militantët e vetëshpallur, por edhe artistë apolitikë, të çliruar nga marrëdhëniet detyruese, siç ishte rasti i Lasgush Poradecit apo i Ali Asllanit.

Kjo shpërfillje ndaj Bukurisë nuk erdhi si pasojë e ndonjë refuzimi që i bënte kësaj kategorie faktori postmodernist i viteve '40-'50 – i cili i nënvleftësoi format e bukurisë pararendëse e tradicionale, bashkë hierarkinë e saj. Refuzimi erdhi për shkak të përfshirjes së artit të ri në të njëjtën strukturë me ideologjinë. Përmbi këto mospranimi i estetikës së trashëguar ndodhi sidomos për shkak të zëvendësimit të "bukurisë së trashëguar" me socializmin, i cili u trajtua si përmasa më e lartë, sublime e Bukurisë, siç nënvizon studiuesja Nina Dimitrieva.

Një qasje e tillë ndaj konceptit estetik e bën më të dallueshme kundërvënien mes së Bukurës tradicionale dhe Bukurisë së Re, me të cilën do të përfaqësoheshion poetët shqiptarë mes viteve '60, te të cilët vërehen zona ngjashmërie me rrymat letrare moderne të mesit të shekullit XX.

Lidhur me këto ngjashmëri, historishkrimi i letërsive të ngjashme ka arritur në përfundimin se arti i prodhuar nën metodën e realizmit socialist paraqitet i ngjashëm në disa pika jo vetëm me artin totalitar të Gjermanisë naziste, por edhe me surrealizmin, realizmin magjik, ku elementet e avangardave shfaqen jo në rrafshin letrar, por në atë psikologjik, siç pohon studiuesi Boris Groys.

Në këtë këndvështrim edhe poetët shqiptarë të viteve '60 krijuan atë formë të realizmit, që në të vërtetë ishte një realizëm atipik, një (anti)realizëm, (i)realizëm a hiperrealizëm, që abstragon realitetin në dobi të së ardhmes. Bashkë me realizmin ai art krijoi realitete imagjinare, të pritshme, futuristike, të cilat nuk kanë lidhje me ndonjë realitet imediat, duke prodhuar kështu dukurinë e simulacrum-it në letërsi. Ndërkohë që poetët paraardhes të viteve '45-'50 kishin krijuar thjesht një simulim të realitetit, si pasqryrim / imitim të një procesi që ndodh realisht në jetë dhe që për t'u dëshmuar nuk ndiente nevojën e artit revolucionar. Prej këtej bëhet interesant vëzhgimi i pranisë së reales brendashkruar letërsisë së realizmit socialist (a ka realizëm), por edhe këqyrja e cilësisë së këtij realizmi, lloji i këtij realizmi dhe roli i tij i veçantë (ç'lloj realizmi?). Thënë ndryshe: a ishte përnjimend realizëm ai i realizmit socialist, apo "e vetmja gjë absolutisht e re në lidhje me realizmin socialist ishte vetëm termi" (Katerina Clark).

Nëse për poetët e vitve '45-'50 përshkrimi i realitetit kishte si qëllim ta ndërtonte në mënyrë të menjëhershme dhe të atypëratyshme realitetin, për autorët e viteve '60 ky realitet i gatshëm letrar dhe faktik njëherazi – ky "ready made" i postmodernistëve – duhej transformuar sipas paradigmës që e shndërronte realitetin e së tashmes në utopinë letrare të së ardhmes, përpunuar si një skenar futurisik.

Janë të dukshme faktet e polemikës mes "poetëve të vjetër" dhe "letrarëve të rinj", të cilët iu kundërvunë, në disa raste pa lëshime, formës tradicionale të shfaqjes së Bukurisë të cilët, duke shpallur kundërshti ndaj "realizmës së gjallë, vepëronjëse", ndaj "realizmit progresiv", promovuan prirjen për "ta pasuruar botën me një bukuri e re" – strukturë mendimi kjo e futuristëve.

Por kjo polemikë lidhur me marrëdhënien e letërsisë ndaj realitetit nuk lindi pas luftës, sikundër mendohet ndonjëhrë, pasi teza se autorët e rinj duhet "të frymëzohen nga jeta jonë…e përditëshme" dhe se "futurizmat, dadaizmat, ermetizmat e tjera kësodore lindin e perndojnë" ndeshen më herët, si rastin e artikullit të Nexhat Hakiut, me titull "Letërsia kombëtare", botuar në "Bashkimi i Kombit", që në gusht të vitit 1944. Për ta zbuluar më qartë se cilat zona preku debati mes "të rinjve" dhe "të vjetërve", "tradicionalistëve" dhe "novatorëve" për një estetikë ndryshe, mund të shqyrtohet kronika letrare të kohës, duke filluar nga gazeta "Bashkimi" e vitit 1945 e cila, ndërsa vijoi me vite, arriti kulmin 15 vjet më vonë, me polemikat e botuara në gazetën "Drita" në verë dhe vjeshtën e parë të vitit 1961.

Por para kësaj mund të vërejmë se mënyra e ofrimin të modelit sovjetik në artin letrar nuk është një dukuri përjashtimisht shqiptare pasi, po të këqyrim më me vëmendje ndodhitë në Europën Lindore deri në vitet '50 do të vërejmë lëvizje të njëjta e të ngjashme, që nga krijimi i institucioneve artistike, organizimi i lëvizjeve me frymë zhdanoviste, përjashtime dhe ndëshkime të artistëve me formim të ndryshëm ideologjik, organizimin e konkurseve të para me tematikë të diktuar letrare apo shpallje të planeve 2 vjeçare për shkrimtarët e artistët, si në Poloni, në Çekosllovaki, në Hungari, në Gjermaninë Lindore ashtu edhe në Shqipëri.

Në brendi të dëshmive të letërsisë shqiptare mes viteve 1945 – 1961 vërehet se kundërvënia, polemika e debati mes "tradicionalistëve" dhe "novatorëve" nuk bëhej thjesht për metrikën, për vargun e lirë të të rinjve, për tetërrokshin apo dhjetërrokshin tradicional. Ajo polemikë bëhej mbi të gjitha për estetikë të re, më të përpunuar, brenda të vetmes formë të lejuar-imponuar të artit realist. Në tekstet e botuara më herët ishte vënë re dallimi, por polemikat në faqet e gazetës "Drita" të vitit 1961, shfaqën haptazi se mes brezave letrarë nuk kishte thjesht dallime, por mospajtime dhe kundërshti për estetikë dhe shprehi ndryshe.

Për të ilustruar këtë mospajtim ndaj tradicionalistëve, që ishin haptazi kundër frymës së sjellë në poezinë shqiptare prej "poetëve të rinj", do të ishte i mjaftueshëm citimi i disa prej titujve nga diskutimet e Ismail Kadaresë (Asgjë tragjike s'ka ndodhur, asnjë traditë s'është mohuar) dhe të Fatos Arapit (Nuk na e ka fajin vargu) botuar "Drita", korrik 1961.

Debati letrar përfshiu mes palëve hierarkinë më të lartë të shtetit, pa lënë mënjanë as Enver Hoxhën që, për të mos bërë të pakënaqur asnjërën nga palët, në mbledhjen e gjerë me shkrimtarët dhe artistët më 11 korrik 1961, deklaroi se "letërsia dhe artet janë zhvilluar në rrugë të drejtë dhe se ajo pasurohet çdo ditë e më shumë."

Është interesante të vëzhgohet ndërkaq se si shpërthimet e sulmeve të tradicionalistëve ndaj të rinjve fashiten përmes një akti: ngritjen simbolike të "flamurit të bardhë" nga Mark Gurakuqit, i cili përmes një poezie ku gjendet edhe vargu "dorëzimi i stafetës në dorë dhe të sigurt" shpall mbylljen e përkohshme të debatit, në dobi të poezisë së re. Vjersha me titull "Shokëve të rinj poetë" tingëllon e shkruar si me porosi. Ajo, bashkë me vjershën "Poezia" botohet më 3 shtator 1961, në faqen 2 të gazetës "Drita", në të njëjtin numër ku ishte botuar edhe atikulli i Dritëro Agollit, "Traditë, natyrisht, por jo shtampë", që i kundërvihej me shembuj ilustrues dhe jo pak përqeshës, prapambetjes së krijimtarisë së tradicionalistëve.

Shenja më e qartë e pranimit të humbjes dhe e shtrirjes së dorës së pajtimit ndaj "poetëve të rinj" janë vargjet e krijimit me titull "Poezi", në të cilin Mark Gurakuqi –një nga mbrojtësit e tradicionalizmit, të qëllimores dhe estetikës së vjetër në poezisë shqiptare – pohon se "rrug ma t'gjana don sot poezija". Për të dëshmuar daljen jo pa dhimbje nga muzeu i klisheve letrare të fazës së parë të realizmit socialist, ky autor merr hua fjalorin poetik të "avantgardës" së poezisë së re shqiptare, ky mes të tjerash ndeshen edhe fjalët sputnik, antena, korpus metalit, tension i naltë, bateri, torno uzinash, kozmos, anije kozmike – fjalor ky krejt i ri, modern dhe novator për poezinë shqiptare, i ndeshur më herët, që në janar të viti 1961, kur Ismail Kadare botoi në gazetën "Drita" poezinë "Skicë e qytetit t'arthmë".

Por nëse duhet kërkuar një pikënisje për ta hetuar dallimet mes poezisë së viteve 1945-1950 dhe poezisë së viteve '60 një fillim domethënës mund të ishte funksioni mimetik, qëllimi dokumentues dhe raportimi i ndodhisë. Poezia e viteve '45-'50, ishte vënë në rolin e dëshmitarit, që riprodhonte, por nuk abstragoi mbi realitetin. Ajo krijimtari u dha thjesht forma rimuara ideve politike, ngjarjeve të ditës dhe realitetit të ri, siç vërehet nga titujt e botuar në "Literatura jonë", "Letërsia jonë" "Nëntori" dhe "Drita" nga viti 1947 – 1961, të tilla si: Prak më prak, Bjeri çekiçit. Tak…Tuk…Po ngrihet fshati më i ri. Afshi i ri (Aleks Çaçi); Kremlini (Lame Kodra), Ndalo! Punëtorit (Zihni Sako) Stadium; Muratori; Qumshti i parë (Vehbi Bala). Pa mjete dhe kërkime të reja stilistikore, ajo poezi u formatua në përputhje me  "Planin dyvjeçar të shtetit dhe detyrave të shkrimtarëve", botuar në "Literatura jonë", No. 6. Gusht, 1949.

Poezia e viteve '60 i shpronësoi gjithashtu poetët e brezit paraardhës edhe nga tema e atdheut, që shihej si zona e sigurt tradicionalistëve. Me krijimtarinë e Ismail Kadaresë, Fatos Arapit, Dritëro Agollit apo Dhori Qirjazit, ajo temë, dhe pse me emfazë e pathos, njohu transformim, pasi atdheu i këtyre poetëve nuk ishte atdheu imediat, por atdheu dinamik, që i takonte së ardhmes (socialiste) – terma këto që janë pjesë frymëzimit dhe e aksionit futurist. Mimetizmit të paraardhësve ata i kundërvunë demiurgun e  avangardave, ndaj dhe poezia e tyre shpesh i adresohet qiejve dhe ruan frymëzimin mesianike të të dërguarve në tokë, që u flasin masave për të ardhmen.

Por ngjashmëria estetike me prejardhje nga "avantgardat" nuk kishte shpëtuar pa u vënë re edhe nga poetët tradicionalistë të viteve '50. Ata nuk e humbën rastin për t'i kritikuar, madje akuzuar poetët e rinj për temat kushtuar kozmosit dhe shkëputje nga realiteti. Kanosëse tingëllojnë cilësimet se përdorimi i "vargjeve të lira duhet parë si fenomen negativ" e bashkë me to mbërritën edhe qortimet për vargje  të shkruara në gjendje "gjysmë dehjeje" – kupto dalldia futuriste – dhe për "shthurjet që nuk duheshin lejuar në art", të cilave u bashkohen vërejtjet lidhur me "mbeturinat e dekadentizmit" dhe trajtime "temash me frymë […] surealiste, futuriste". Ndaj edhe si tipar, poezia e viteve '60 duket se vjen me pamjen e apokaliptike të një "avantgarde" (cilësuar si novatore), brenda qerthullit të mbyllur të poetikës shqiptare të atyre viteve.

Veçse nga ana tjetër termi "avantgardë", me gjithë shpirtin ikonoklastik të poezisë së viteve '60 kundrejt poezisë thjesht realiste të paraardhësve, nuk e përmbush kuptimin e përgjithshëm të termit. Edhe pse me dallime të thella ndaj poezisë paraardhëse poezia shqiptare e vitveve '60 mbetet pjesë e një projekti artistik që i kushtohet artit me frymëzim ideologjik.

Kjo pasi, me gjithë qëllimet transformuese e ndonse ndihet natyrshëm një avantgardë estetike përballë paraardhësve, vetë skema e përgjithshme e realizmit socialist, ku kjo letërsi u përfshi, zyrtarisht dhe para së gjithash mbetet një projekt historik kushtuar historisë së artit proletar nën skemën e përgjithshme teleologjike të historisë marksiste, siç shton Groys, me ambicje për të zbatuar një projekt të qëllimshëm utopik, atë të telekomandimit të realitetit drejt së ardhmes, "futurizmit" vendas, lokal, e cili, duke iu kundërvënë formalisht artit të avantgardave, në fakt e imitoi atë dhe krijoi lidhje marrëdhënie në largësi.


Gazeta Mapo  - Postuar më: 16 December 2017 14:12


http://www.mapo.al/2017/12/bukuria-e-tradicionalisteve-vs-bukurise-se-re-per-nje-estetike-ndryshe/1


 

17 December 2017

EUROZINE - shënim mbi revistën POETEKA No. 46 - botuar në MILOSAO

"Numri dimëror i "Poeteka", që përkon me No. 46 të saj dhe që shënon njëkohësisht edhe vitin e 13 të botimit të revistës, ka përcjellë një përshkrim shumë inkurajues nga EUROZINE, duke veçuar disa nga krijimat dhe autorët që kanë botuar në këtë edicion.

"Poeteka", si partnere e rrjetit të revistave kulturore europiane, ka vite që bën udhëtimin e saj në këtë familje europiane kulturore, duke ngulmuar dhe kontribuar denjësisht me përmbajtjen dhe risitë e saj.

Siç njihet, EUROZINE është një nga rrjetet e rëndësishëm të revistave kulturore europiane, që lidh mes tyre më shumë se 80 revista partnere si dhe institucione bashkëpunuee pothuajse nga të gjitha vendet europiane.

EUROZINE është gjithashtu një net-magazine, që boton artikuj të përzgjedhur nga revistat e saj partnere, duke u shtuar atyre përkthime në një prej gjuhëve kryesore europiane. Ky botim, i cili bashkon 31 autorë e përkthyes së bashku publikon mes të tjerash edhe ese - tregime dhe poezi bashkëkohore shqiptare - përkthime të autorëve europianë e nga Amerika latine - kritikë letrare - letërsi nga Ballkani - recencione - 4 studime në albanologj si artikuj kushtuar Martin Camajt, Musine Kokalarit, realizmit socialist dhe miteve në muzikën shqiptare, një reçension nga akademik Luan Starova mbi romanin "Gjarpri i Shtëpisë" të shkrimtarit Arian Leka, me rastin e botimit në gjuhën maqedonase, dokumente dhe faksimile në 115 vjetorin e lindjes të dramaturgut, përkthyesit dhe publicistit Ethem Haxhiademin (Elbasan, 8 mars 1902 - Burgu i Burrelit, 17 mars 1965), ku një vend të veçantë si përzgjedhje zënë shënimet kritike nga Jani Lili, Valgjel Koça, Namik Resuli, Kudret Kokoshi, Sterjo Spasse, Vedat Kokona, Muhamet Bala, Elvira Tarro, Jup Kastrati  botuar në shtypin letrar të viteve, '30 - '40, të cilat mbyllen me vështrimin e studiuesit Robert Elsie." (nga Milosao)


NGA EUROZINE - Revistat kryesore kulturore të Europës në majë të gishtave tuaj.

http://www.eurozine.com/eurozine-review-trees-arent-just-supposed-to-grow/

 "Letërsia bashkëkohore e Ballkanit është nihiliste që nga fillimi e deri në fund", shkruan Shpëtim Selmani në numrin e ri të revistës letrare shqiptare "Poeteka", duke shprehur keqardhjen për rrënimin e nacionalizmit, fajin dhe gjendjen e rëndë të shoqërisë. Kontribuuesit e Poetekës shkojnë kah mundësive të tjera për t'i shmangur këto gracka lokale. Rrëfimet e tyre enden disi të lira në kohë dhe në hapësirë, me protagonistë të paidentifikuar të një identiteti të skicuar-ashpër dhe të paqartë. Fluturimet imagjinare të këtij lloji janë gjithnjë e më shumë të zakonshme në krijimet shqiptare, siç është ai që lidhet përshembull me romanin e fundit të zhanrit fantastik dhe nën-human "Ameba" të Rigel Rizajt.

Fiction: Rrëfimi "Ekuinoks" i Ben Andonit flet rreth kontaktit të një antropologu me një fis në një kontinent të paidentifikuar dhe përpjekjet e vazhdueshme për të paqtuar qiejt dhe për të penguar ekspeditat ndëshkuese të 'njeriut të zi "i cili periodikisht vjen të plaçkisë prodhimet e tyre. "Në fakt, ata e prisnin, sepse llogaritjet e tyre e lidhnin atë me kohën kur yjet ishin në një pozicion të caktuar dhe atë ditën e Perëndisë kur ajo barazohej me natën". Bariu i tyre profetik nuk është në gjendje për t'i mbrojtur ata nga një cikël i përsëritur i shkatërrimit.

Eneida Mjeshtri kontribuon me një pjesë prej tregimeve të numrit: një vajzë e zhveshur dhe një grua përballen me njëra-tjetrën në një dhomë të errët gjatë natës, nën sfondin e britmës së një bufi që na përsjell një prani ogurzezë. Vajza ka në plan të udhëtojë për dashuri. "Më vjen mirë që nuk do të shoh më gjysmë njerëz, apo gjysmë botëra. Jam e kënaqur që nuk do të ketë gardhe si këto që na mbajnë ne të ngërthyera ".Gruaja e inkurajon atë, por ekziston një ndjenjë se shfrytëzimi i vajzës është i mallkuar. Dhe në një bisedë për tre zëra të pagjini, një personazhi i kërkohet të dalë dhe të përballet me gjykimin, por cili i gjykon ata ose pse mbetet i fshehur, në një mister ankthi të fajit.

Në "Paramour" e Bledar Kurtit, një grua po bën dush me të dashurin e saj, i cili rezulton të jetë politikan, me gjasa kryeministri i ardhshëm shqiptar. Ai është i prirur ta braktisë atë teksa i premton një qëndrim të rehatshëm, por ajo dëshiron thjesht dashurinë e tij. Njeriu duhet të zgjedhë, por ne mbetemi në dyshim se si përfundon kjo histori e pushtetit che mashtrimit.

Historia letrare: Poeteka me shumë zell vazhdon objektivin e saj të rikujtimit të traditave të kaluara të letërsisë shqiptare që janë dëmtuar me kohë por edhe harruar, si edhe përkujton Et'hem Haxhiademin, një dramaturg dhe përkthyes të Virgjilit në vitin 1930 dhe '40, i cili u arrestua në vitin 1947 dhe vdiq në burg në vitin 1965."

Autorët që kontribuan në botimin e këtij numri janë: Ardian Kyçyku - ese - Mërgim i krahasuar, Ben Andoni - tregim – Ekuinoksi Eneida Mjeshtri - 4 tregime: E diela e fundit e kukumjaçkës - Gjykimi - Dialogë dramatikë me një akt – Nëntë Sazan Goliku - tregim - Hapeni, jam gjallë! Bledar Kurti -tregim  -Paramour - (Grimca hije-drite nga jeta e një politikani ) Belfjore Qose - 6 poezi -  Adam Zagajewski-4 poezi Pandeli Çina-përkthyes-Vladimir Vojinović - 3 trgime, Dimitrov Popović – përkthyes, Nazim Hikmet - Poezitë e orës 21-22, Alban Tartari – përkthyes, Jorge Luis Borges - ese - Varianti i parafundit i realitetit, Suadela Balliu – përkthyese, Luan Starova - kritikë letrare - Shpëtimi i njerëzores, Shpëtim Selmani - kritikë letrare - Kalda dhe mëkati i madh i ngjizjes, Silvana Leka - studim - Rasti Martin Camaj, romani "Dranja" përballë detit, Dorian Koçi - studim - "Muza" e rezistencës antikomuniste, Arian Leka - studim - Analogji dhe homologji në motive e figura, mitike në trupin e epikës popullore shqiptare, Blerina Shalarii - studim - Mitet në muzikën Shqiptare, Ethem Haxhiademi - in memoriam - shtypi letrar i viteve, '30 - '40 mbi krijimtarinë e Ethem Haxhiademit.

 

15 December 2017

Arian Leka: Letërsi fason, me krah të lirë pune

Letërsi fason, me krah të lirë pune

 

Nga Arian Leka

 

Lexuesit e Ballkanit Perëndimor, ardhur nga përvoja të dhunshme, nga vrasjet, gjaku, përdhunimi fizik e kulturor, e kuptojnë se luftërave një ditë u vjen fundi, por luftrat nuk mbarojnë. Luftrat zhvendosen. Nga malet dhe fushat e luftimit drejt librarisë. Kush hyn në një librari e ndjen se aty kujtesat përplasen, e shkuara ndeshet me perspektivën dhe se vdekurit u kondërvihen të gjallëve...


Shteti josh, dhe korrupton ëmbëlsisht përmes çmimeve, granteve, bordeve, fondeve, titujve, dekoratave dhe funksioneve publike "artistët e tij", por të njëjtën gjë bëjnë zakonisht edhe korporatat mediatike e botuese, që zgjedhin jo vetëm "autorët e tyre", por krijojnë edhe hartat e shpërndarjes së shpërblimeve letrare, bashkë me simbolikat e tyre të përfaqësimit.

 

 

1. Ndajmë të njëjtin raft,

por jo të njëjtën ëndërr

 

 

Pesëdhjetë vjet nga sot, Michel Foucault kumtoi mbi heterotopitë. Libraria nuk përfshihet në këto hapësira. Spitalet dhe anijet, motelet dhe burgjet, muzetë dhe kuplaratë, bibliotekat, varrezat dhe saunat, po. Me gjithë fjalët dhe përfytyrimet e bukura, libraritë ruajnë ende diçka prej kampeve të shfarosjes ngulur në epokën e pranëvënieve dhe të njëkohëshmërisë. Lexuesit e Ballkanit Perëndimor, ardhur nga përvoja të dhunshme, nga vrasjet, gjaku, përdhunimi fizik e kulturor, e kuptojnë se luftërave një ditë u vjen fundi, por luftrat nuk mbarojnë. Luftrat zhvendosen. Nga malet dhe fushat e luftimit drejt librarisë. Kush hyn në një librari e ndjen se aty kujtesat përplasen, e shkuara ndeshet me perspektivën dhe se vdekurit u kondërvihen të gjallëve. Por në libraritë e kryeqyteteve të Ballkanit Perëndimor luftohet për një kauzë tjetër. Aty luftimi ndodh për zgjerim të hapësirës letrare dhe zaptim territoresh kulturore. Pakashumë këto po sillja nëpër mend më 23 prill 2017, në Ditën Botërore të Librit, teksa ecja përmes rafteve të njërës prej librarive të mëdha në Tiranë. Ndërsa këqyrja tituj të pafundmë "botimesh fason", nga ata që në frymën e globalizimit kulturor publikohen në miliona kopje të njëjta në të gjithë botën, mora guximin të pyes libërshitësin nëse gjatë asaj dite të veçantë për librin kishte patur ndonjë interesim edhe mbi titujt e autorëve të rajonit tonë? Europa Juglindore. Bllkani Perëndimor. Shkrimtarë malazezë, serbë, maqedonas, boshnjakë, sllovenë, kroatë dhe shqiptarë u detyrova të qartësoj bashkëbisedimin me libërshitësin, që më pas mori këtë formë:

Unë: Ku mund t'i gjej të ekspozuar librat e autorëve ballkanikë?  Ai: Në ekspozitorin e librit të ri.  Unë: Zakonisht si i ndani? A ka ndonjë kriter dallues? Si e gjen lexuesi këtë letërsi?  Ai: Sipas vendeve dhe sipas gjuhëve? Një raft me letërsi franceze. Një rast letërsi italiane. Letërsia angleze është aty.  Unë: Po letërsia e rajonit tonë në cilin raft rri? Ai: Ata i kemi bashkuar në atë raftin e madh. Në të njëjtin raft me letërsinë ruse… Ja! Shihi! Unë: Përse aty..? Ai: Ku tjetër?…Letërsi sllave…?!

Nuk është aspak fjala për fobi ndaj ndonjë kulture, por për verbimin kolektiv. Librashitësi kishte të drejtë. Kush beson se prej vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të vijë letërsi e mirë? Prej atyre viseve Europa merr vetëm sinjale negative, telashe, grindje, trafikim, luftra, konflikt dhe punëtorë me pak kualifikim. Kur paska ndodhur që ndonjë autor i rajonit tonë të jetë vlerësuar në vendet fqinje? Kurorat u takojnë superfuqive kulturore. Ballkani Perëndimor duhet të jetë i kënaqur që e përmendin dhe që zë një vend në periferi të territorit kulturor.

Përballë nesh vendoset sërish Foucault me gjenealogjinë e racizmit, që shfaqet jo vetëm si paragjykim iracional dhe diskriminim social, politik dhe kulturor, por edhe si formë për të manipuluar mendjet militare të rajonit tonë.

Në këtë kontekst pamja e letërsive të zhdukura nga harta kulturore qëndron përtej kornizës simbolikës. Në atë librari promovohej mosbesim, diskrimim kuluror. Shfaqen trajta të ideologjive koloniale në kulturë. 

Tregu urdhëron krijimin e perandorive letrare. Për strategji merkantile letërsia europiane e Ballkanit Perëndimor futej në sqetullën e hapësirës së letërsisë ruse dhe sovjetike. Mes librave të Tolstojit, Korolenkos, Majakovskit, Dostojevskit, Paustovskit, Turgenievit e Pushkinit si dhe të disa librave antikuar të autorëve të realizmit socialit sovjetik, mes tyre "Si u kalit çeliku" – i Ostrovskit,  "Garda e re" – i Fadajevit apo "Çapajevi" – i Furmanovit, ishin edhe librat e Daša Drndić, të Luan Starovës, të Eqrem Bashës dhe Ali Podrimes, që kishin nënshkruar Vox clamantis in deserto në 1971.

Në po atë raft, librat e Georgi Gospodinov dhe Jeton Neziraj rrinin pranë e pranë me Shollohovin e Nekrasovin, siç Jurij Hodolin, Adrian Kyçyku, Tomaz Šalamun e Shpëtim Selmani rrinte përbri me Lermontovin, Shçedrinin, Srdjan Valjarevićin, Nikola Madzirovin dhe Ballsor Hoxhën. Pak më tej, Enes Karić, Arben Idrizi, Ognjen Spahić e Qerim Ondozi ishte futur përkrah e përbri librave të Leonovit, Gorkit, Çehovit e Gogolit, për të vijuar më tej me Miljenko Jergović, Alek Popov, Vladimir Arsenijević, Ervina Halili, Edo Popović, Renato Baretić, Emir Imamović Pirke e Drago Janćar, që mbyllte serinë e librave në raftin e madh mbi të cilin lexohej tabela LETËRSI RUSE.

Mbivendosja e realiteteve në librari më solli ndërmend disa vargje, të cilat nuk do të kisha dashur t'i kujtoja aq gjatë. Ishin botuar në gazetën "Bashkimi", fill pas Luftës së Dytë, në pranverë të vitit '45. Autor ishte Lame Kodra, Ministri i Shtypit, Propagandës dhe Kulturës së asaj kohe. Duke u përpjekur të sajonte një vjershë kushtuar kryeqytetit të kryeqyteteve të botës, Kremlinit, Moskës, Romës së Tretë, ai kishte krijuar rima një shtrat të përbashkët kulturor përmes tri fjalëve: Kremlini – Lenini – Shkumbini. "Si yll' i Karvanit / Mi botën ri Kremlini / E drita që lëshon / Po vjen gjër te Shkumbini… …Përpëlitet kuçedra me gulçime / Lavdi për jetë paç, o Moska trime." Ishin vargje të frymëzuara nga i njëjti burim ideologjik, shkruar në kohën kur, nga Moska në Tiranë përktheheshin dhe botoheshin të njëjtët libra, kur shkrimtarët përvetësuan fasonerinë e parë letrare të realizmit socialist, teksa lexonin udhëzimet e Vitalij Ozerov dhe Branko Ćopić që bënin fjalë mbi themelet e përbashkëta kulturore. Ishte ky një realitet në kushtet e déjà vu-së, apo frika nga përsëritja e së shkuarës ishte aq ende aq e fortë saqë prirej të kujtonte vetëm elementet negative?

Në kontekste si këto, libraria e Tiranës shfaq haptazi mosbesimin se letërsia që vjen nga Ballkani Perëndimor apo Europa Juglindore, siç quhet ndryshe, mund të krijojë vlera të veçanta. Ndaj për ta bëtë të shitshme mund ta klonojmë me çdo gjë, përfshi këtu të qenit kulturë satelit. 

Por a ndajnë të njëjtën perspektivë dhe të njëjtin sfond social kulturat që u bashkuan në të njëjtin raft? A mund të gjejë përkrahje nën këtë simbolikë ideja e dekolonializmit kulturor, shthurja e hierarkive me bazë raciste mes kulturave të vogla dhe perandorive kulturore?

Duke ju kthyer çështjes së librave në rafte më duhet të pyes se ku gjenden librat e autorëve shqiptarë në libraritë e Beogradit, në Sarajevë, në Podgoricë, në Zagreb, në Shkup a në Ljubljanë? Janë futur nën sqetullën ndonjë letërsie tjetër apo përfytyrimi mbi letërsinë shqiptare është ai i një një zone pa përfaqësim?

 

2. Krahinë autonome apo Republikë letrare

 

Letërsia bashkëkohore e fqinjëve ballkanikë njihet pak në Shqipëri dhe prej këtej nënçmohet për vlerat që ka. Ky paragjykim ndodh edhe pse në shumë raste këto vepra letrare botuar në shqip vijnë të "çertifikuara" me çmime ndërkombëtare dhe të shoqëruara me jehonën që i ka ndjekur pas botimit në anglisht, frëngjisht apo gjermanisht. I tillë është, për shembull, rasti i romanit dokumentar "Sonnenschein" i autores kroate Daša Drndić ("Fëmijët e dashurisë dhe urrejtjes" në versionin shqip), që kaloi pa vëmendje, edhepse institucionet kombëtare të Shqipërisë e shpallën vitin 2017 si "Vit të Kujtesës".

Ndërkaq, si të bëhet fjalë për një hakmarrje, edhe letërsia shqiptare vazhdon të mbetet letërsia më pak e njohur në Europë. 

Madje ndër fqinjët tanë kjo letërsi paragjykohet, jo për ekzistencën, por për mungesën e cilësisë së saj. Për shkaqe të tilla kjo letërsi përkthehet dhe lexohet pak. Përkthimet, botimet dhe përurimet e saj përtej gjeozonës shqiptare kanë ndodhur më fort si vullnete dhe dëshira vetjake që nuk përfshihen as në projektet e institucioneve dhe as në ato të faktorit alternativ.

Kemi të bëjmë me përplasje praktikash në paraqitje. Letërsia shqiptare, nuk është, por bëhet e padukshme. Ajo nuk shfaqet, rri e tërhequr, e izoluar brenda zonës së saj gjuhësore. Kjo letërsi nuk merr pjesë me vëmendjen dhe me dinjitin që meriton në panairet rajonalë të librit dhe as të atyre në Europë. Duket sikur kjo letërsi dhe faktorët që e shoqërojnë demonstrojnë sjellje asociale dhe mungesë vetëvlerësimi.

Por ideja jonë e ngulmët, pas çdo dështimi, është të gjejmë jo zgjidhje, por fajtorë. Më e lehta mes anastezive mbetet qetësimi përmes iluzionit se dikush na pengon. E kush mund të jetë tjetër, përveç fiqnjëve tanë, armiqve shekullorë, që na shpërfillin dhe na keqtrajtojnë?

Pas fqinjëve "të ligj", politika mbetet fajtori ideal – dhe sigurisht që është – përderisa ka zgjedhur të jetë invertitori kryesor i "produktit kulturor shqiptar". Por ndërkaq elementet e tjerë kontribues në këtë fushë nuk ofruan kurrë modele alternative dhe të pavarura, që nuk do e lejonin shtetin të merrte formën e një korporate sponsorizuese. 

Shteti josh, dhe korrupton ëmbëlsisht përmes çmimeve, granteve, bordeve, fondeve, titujve, dekoratave dhe funksioneve publike "artistët e tij", por të njëjtën gjë bëjnë zakonisht edhe korporatat mediatike e botuese, që zgjedhin jo vetëm "autorët e tyre", por krijojnë edhe hartat e shpërndarjes së shpërblimeve letrare, bashkë me simbolikat e tyre të përfaqësimit.

Përtej kësaj panorame, autorët në Shqipëri mund ta kishin zgjidhur tanimë marrëdhënien me dy çështje, që në të vërtetë duhej të ishin kapërcyer me kohë. 

E para është tabuja e nyjes, që këputet kur nuk zgjidhet dhe kur të pengon. Tabuja e dytë ka të bëjë me fillin, që ka humbur në labirint. Të dy proceset, ndonëse duken si mision i pamundur, gjejnë shpjegim te një mendim i Jorge Luis Borges, kur shkruan se filli mund të ketë humbur, por nuk ka fill të humbur që nuk gjendet, përderisa ekziston qëllimi dhe ngulmi për ta gjetur fillin dhe për ta lidhur atë me pjesën që u këput. 

Tabuja e nyjes nënkupton ndarjen nga marrëdhënia që i mban autorët dhe letërsinë shqiptare të lidhur pas mendësisë së të kaluarës së afërt të artistit të gatshëm. Me këtë është i lidhur edhe modelimi i krijimtarisë  si veprimtari dhe art në shërbim.

Ndërkaq,  a ekziston me të vërtetë ndonjë ofertë prej letërsisë së shkruar në gjuhën shqipe, që meriton vëmendje, vlerësim dhe investim dhe që nuk është vënë re? Ajo që nge krye më dhunshëm dhe nuk lejon të dallohen prurjet e përveçme, janë stereotipet. Stereotipet letrare e kanë krijuar fondin klisheve tematike dhe stilistikore të post-Realizmit Socialist, që letërsisa shqiptare solli pas viteve 1990. 

Meqë një listim të tyre e kam botuar më herët në "Milosao", po shtoj vetëm faktin se fabrikimi i stereotipeve dhe klisheve në kushtet e një industrie letrare ka nxitur ardhjen në jetë të "letërsisë fason". Ajo që përfaqëson termi lidhet me formën e produktit që prodhohet me kërkesë të porositësit, i cili modelon, përcakton lëndën e parë dhe gjen tregun, duke shfrytëzuar krahun vendas të punës.

Mbetet për t'u vëzhguar më mirë nëse ajo që u shndërrua në prirje ndaj letërsisë fason, ishte thjesht zell dhe ngut i autorëve për zaptim territoresh letrare dhe sigurim i suksesit të lehtë. Ky zell a përkrahet edhe prej disa botuesve të huaj, të interesuar për asortimentin shqiptar, që mungonte në tregun e librit? Apo letërsia fason gjen mbështetje institucionale që, teksa e promovon, e vlerëson me çmime dhe e rekomandon, mbëshetet letërsinë e stereotipeve, duke e zgjeruar mosbesimin ndaj letërsisë shqipe dhe duke vonuar përpjekjet serioze të saj shfaqen edhe jashtë zonës së brendshme të komunikimit?

Kujtoj sërish Michel Foucault, kur shkruante se në përpjekjet për të gjetur diçka në këtë shtresa të arkeologjisë kulturore, ne thjesht ia bëjmë të dukshme vetes, por edhe vendit tonë të heshtur, disa ndodhi që ndodhin para syve tanë dhe me përkrahjen tonë, përfshi këtu edhe të metat e pakorrigjuara prej kohësh edhe ngurrimet e dikurshme edhe padrejtësitë e një dite më parë.

 

Postuar më: 02 December 2017 09:13

 

http://www.mapo.al/2017/12/letersi-fason-me-krah-te-lire-pune/1

 

 

 

01 December 2017

Romani SATORI i shkrimtarit Srđan Srdić në gjuhën shqipe - BOTIMET POETEKA

Romani "Satori" i Srđan Srdić u botua në vitin 2013.Personazhi i vetëm i Satorit i drejtohet vetes si Shoferi. Ai i largohet qytetit dhe përgjegjësive shoqërore. Përmes gjuhës së veçantë të personazheve të flakur në fundin e shoqërisë, përcillen ndjesitë e anknthit e horrorit të njeriut vetmitar që, i mbyllur në solipsizmëm, beson se mendimet, përvojat, dhimbjet dhe emocionet e tij janë të vetmet që ekzistojnë. Me një distancë ironike libri rrëfen banalitetin, ankthin dhe lirinë e njërëzve që provuan pasojat e krimeve të luftës. Aty shprehen edhe ndjenjat dhe çrregullimet posttraumatike të atyre që nuk u prekën në mënyrë të drejtpërdrejtë nga lufta.


Megjithëse përdor mjete dhe teknika të përbashkta me romanin e rrugës dhe me Bildungsroman-in, autori i referohet kësaj vepre si një anti-bildungsroman, ku protagonisti nuk shkoi askund dhe nuk mësoi asgjë. Romani Satori ndërthur edhe tekste nga Edukimi sentimental i Gustave Flaubert, nga Oblomovi i Ivan Goncharov, ku shfaqet mishërim i njeriut të tepërt dhe të paaftë për të ndërmarrë veprime të rëndësishëme. Të dallueshme në tekst janë edhe kolazhet narrative që autori përdor, duke iu referuar grupeve muzikore eksperimentale apo personazheve të serialeve vizatimore. Romani Satori është vlerësuar nga kritika për pasurim të teknikave narrative. Hapja e librit me thënie të post-strukturalistëve si Roland Barthes e Jean-François Lyotard si dhe grupit post-rock Mogwai, ndihmon leximin e romanit Satori.

 

 

Vlerësime kritike:

 

I mrekullueshëm romani i Srđan Srdić, përsa i përket ritmit të temave, ashtu edhe realizimit gjuhësor.


Vladimir Arsenić

 

Srđan Srdić e nderon sërsih kthimin e një poeteke të modifikuar moderniste në letërsi, e cila me të nuk është përthyer në mënyrën e thjeshtë.

 

Davor Beganović

 

...një zë i ri i çmuar për prozën bashkëkohore serbe dhe do të shtoja se Srdic është autori më i talentuar që u shfaq në skenë pas brezit të antologjisë "Pseci vek" së Sasa Ilić.

 

Goran Lazižić

 

 

Dy fjale mbi autorin:


Srđan Srdić (Kikinda, 1977) u diplomua në Fakultetin Filologjik të Beogradit, Departamenti i Letërsisë Botërore dhe i Teorisë Letrare. Në vitin 2010 ky autori fitoi të vetmen bursë letrare serbe ofruar nga Fondacioni "Borislav Pekić ". Romani i tij i parë "Vdekja e fushës" u botua në vitin 2010 dhe ishte në listën e ngushtë për çmimet më të rëndësishëm serbe dhe rajonale (Çmimit NIN, Meša Selimović  dhe Bora Stanković ). Libri i tij i dytë, një përmbledhje tregimesh të shkurtra, të cilësuara 'Espirando', u botua në vitin 2011 (për këtë vepër autori fitoi çmimet letrare "Biljana Jovanovic " dhe "Edo Budiša). Ky autor ka fituar çmimin letrar për veprën më të mirë në prozë nga revista e "Ulaznica" (2007) dhe Çmimin "Lazarević  Laza" për tregimin më të mirë të pabotuar në Serbi (2009). Proza e Srđan Srdić -it është përkthyer në gjuhën angleze, shqipe, sllovene, polake, rumune, ukrainase, maqedonase dhe hungareze.

23 November 2017

BOTIM I RI - Ardian-Christian Kyçyku - ATI - roman - BOTIMET POETEKA

Ardian-Christian Kyçyku

Ati – roman

Botimet Poeteka

Tiranë 2017

ISBN 978-9928-230-06-5

Çmimi 700 lekë


 

Një roman (edhe) për flijimet e prindërve

 

Vepra letrare më e fududme e shkrimtarit Ardian-Christian Kyçyku, publikuar pak ditë më parë nga "Botimet Poeteka, vjen si një himn kushtuar prindërve, flijimeve të tyre të pafundme dhe heshtjes së përkorë i që shoqëroi, përkushtimit që jo gjithmonë u shndërrua në mirenjohje dhe keqkuptimeve të shumta me shoqërinë dhe kohën në të cilën jetojmë.

Romani "Ati" rimerr nga një këndvështrim tjetër temën e gjak-/ hakmarrjes. Çdo marrëdhënie mes brezave ka brenda të paktën një etje për hakmarrje. Përtej çdo loje fjalësh, mund të flitet për një gjakdhënie që zgjon hakmarrjen dhe për një hakdhënie që, çuditërisht, ndjell, ose sjell gjakrrjedhje. Secili brez e ndjen veten të përligjur të hakmerret ndaj brezit paraardhës, gjoja në emër të brezit pasardhës, dhe kësisoj dëmton tre breza. Kjo edhe ngaqë ende jetojmë brenda një historie, ku të ashtuquajturat "ide shpëtimtare" helmojnë gati çdo lidhje gjaku, por edhe anasjelltas: kriteri biologjik i përzgjedhjes, sidomos në fushën e dhuntive, u ndryshon kahun ideve të mira.

Fjalia që të godet që në krye është kjo: "Ati ishte aq i pamëkat, sa nganjëherë të vinte ta vrisje". Duke u shprehur mbi këtë krijimtari, menjëherë pas botimit të veprës në nëntor 2017, autori shprehet se kjo fjali e ndalonte të bënte ndryshime në roman gjatë 14 vjetëve, që kur libri filloi të ngjizet e të shkruhej në kujtesën e autorit. "Librin kam vazhduar ta shkruaj qysh nga shkurti i 2003-shit, por vetëm në kokë. Mbeti një libër që shkruhej pa duar, në kujtesën time dhe në mosnjohjen e lexuesit", shton autori. Gjatë çdo 'ndërhyrjeje' në roman, autorit i vegohej bindja se sa pak ishte shkruar për flijimet dhe pamundësitë e prindërve dhe sa shumë për gabimet apo mangësitë e tyre. Kur gjykojmë paraardhësit, asnjëherë nuk mbajmë parasysh kushtet shpirtërore, por vetëm ato historike.

E folmja e personazheve në roman është qëllimisht 'e shkartisur', me përngjitje disi shqetësuese nga të dy dielektet dhe nga të gjitha të folmet, edhe si shprehi e përçarjes së pashpallur që sundon shoqërinë e sotme, e një shqipeje përherë në kapërcyell, por edhe si pasqyrë e paragjykimeve të vetë lexuesit.

Shumica e ngjarjeve dhe hollësive rrjedhin nga kjo histori, ku diktatura e një ideologjie mori trajtat e një diktature mbi vetë fatin njerëzor dhe e fatit mbi vetë njeriun. Kur ideologjitë çojnë vetëm në utopi, - duke u shndërruar rëndom në masakra të shumëfishta, - aq sa njeriu të kënaqet me sa më pak dhe të mos ngopet me asgjë, dhe kur për pjesën tjetër të jetës shkruhet një letërsi mashtruese. "Ati", rrëfen autori, më ndihmoi të shoh gjëra që dihen e nuk shkruhen dhe anasjelltas. Se shpesh aty ku jeta duket e padurueshme, dendësia e përjetimeve, e pyetjeve pa përgjigje, është një lloj mrekullie.

"Është shkruar shumë pak edhe për: vetëmohimin e babait, heshtjen e papërkthyeshme të nënës, vetminë e secilit prind më vete dhe sëbashku, për mënyrat si shpërblehen vuajtjet e tyre gjer edhe kur çdo shpërblim duket si vuajtje e shtuar", thekson në shënimet e veta përcjellëse rreth librit shkrimtari Ardian-Christian Kyçyku.

 

 

 

18 November 2017

BOTOHET POETEKA 46 - No. 4 / 2017

POETEKA 46 (No. 4 / 2017) - viti i dymbëdhjetë i botimit

Në librari dhe te pajtimtarët e revistës POETEKA – EUROZINE PARTNER...

Në 200 faqe krijimtari, Revista POETEKA bëhen bashkë 31 autorë e përkthyes: ese, tregime dhe poezi bashkëkohore shqiptare, përkthime të autorëve europianë e nga Amerika latine, kritikë letrare, letërsi nga Ballkani, recencione, 4 studime në albanologj si dhe - në rubrikën kujtesë - in memoriam - artikuj, dokumente dhe faksimile në 115 vjetorin e lindjes të dramaturgut, përkthyesit dhe publicistit Ethem Haxhiademin (Elbasan, 8 mars 1902 - Burgu i Burrelit, 17 mars 1965).

 

Rubrikat dhe përmbajtja

 

Status

Fq. 4 Ardian Kyçyku  - Mërgim i krahasuar

 

Letërsi bashkëkohore shqiptare 

Fq.14 Ben Andoni  - Tregim

Fq.20 Eneida Mjeshtri  - 4 tregime

Fq.34 Sazan Goliku  - Tregim

Fq.37 Bledar Kurti  - Tregim

Fq.42 Belfjore Qose  - 6 poezi

 

Letërsi europiane

Fq.52 Adam Zagajewski  - 4 poezi

Përktheu Pandeli Çina

 

Letërsi nga Ballkani

Fq.58 Vladimir Vojinović  - 3 tregime

Përktheu Dimitrov Popović

Fq.75 Nazim Hikmet  - Poezitë e orës 21-22

Shqipëroi Alban Tartari

 

Ese

Fq.102 Jorge Luis Borges  - Varianti i parafundit i realitetit

Përktheu Suadela Balliu

 

Recensione letrare

Fq.108 Luan Starova  - Shpëtimi i njerëzores

Fq.116 Shpëtim Selmani  - Kalda dhe mëkati i madh i ngjizjes

 

Studime letrare - Albanologji

Fq.120 Silvana Leka  - Rasti Martin Camaj romani "Dranja" përballë detit

Fq.126 Dorian Koçi  - "Muza" e rezistencës antikomuniste

Fq.134 Arian Leka -  Analogji dhe homologji në motivet e epikës popullore shqiptare

Fq.145 Blerina Shalari  -  Mitet në muzikën shqiptare

 

In memoriam-Ethem Haxhiademi-115vjetori i lindjes

Fq.154 - 173 Robert Elsie - Jani Lili - Valgjel Koça - Namik Resuli - Kudret Kokoshi - Sterjo Spasse - Vedat Kokona - Muhamet Bala - Elvira Tarro - Jup Kastrati

 

Dikumente - Faksimile

Fq. 174 Gazeta dhe revista letrare te viteve '30-'40 me tekste kushtuar Ethem Haxhiademit

 

Bibiografi

Fq.190 Poeteka – 2017

Revista Poeteka - pjesë e rrjetit të revistave kulturore europiane EUROZINE
Ky numër i revistës u botua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

15 November 2017

Takim me lexuesit e rinj - BOTIMET POETEKA - "Vatra e Dijes" - TAKOHEMI PËR NJË LIBËR

Nesër së bashku rreth "Vartës së Dijes": Takohemi me lexuesit e rinj për një libër dhe për shumë libra dhe për shumë e shumë autorë që vijnë së shpejti në shqip nga BOTIMET POETEKA 
Shkolla 9-vjeçare "Vatra e Dijes"- 16 Nëntor 2017, Ora 10.30.

Silvana Leka - përkthyese / Arian Leka - autor

Flasim për krijimtarinë dhe përkthimin:

•  Alle Da" - "Të gjithë këtu", botim i ilustruar gjermanisht shqip; përktheu Eljana Mankollari 

•  Novela botërore - vëllimi 1 (Rudyard Kipling, Mark Twain, Leo Tolstoi, Jack London, Alphonse Daudet, Gustaf Flaubert) - përktheu Arian Leka 

•  Novela botërore - vëllimi 2 ( Miguel de Cervantes, Charles Dickens, Anton Chekhov, Rudyard Kipling, Selma Lagerlof dhe Frederik Mistral) përktheu Silvana Leka

•  "Sot lejohet fluturimi", vjersha për fëmijë nga Arian Leka

11 November 2017

Amélie Nothomb - Prej forcës madhore - LIBER I RI - BOTIMET POETEKA

Me romanin Prej forcës madhore (Le fait du prince) Amélie Nothomb u shpall fituese e çmimit Jean Giono - një çmim ky mjaft i rëndësishëm në letërsisë franceze. Ajo është gjithashtu fituese e mjaft çmimeve të rëndësishëm letrarë dhe autore e dhjetëra romaneve dhe përmbledhjeve të suksesshme me tregime. Mes tyre përmenden Hygiène de l'assassin, 1992; Péplum, 1996; Cosmétique de l'ennemi, 2001; Robert des noms propres, 2002; Le Fait du prince, 2008; Tuer le père, 2011; Le Crime du comte Neville, 2015; Frappe-toi le coeur, 2017; etj. Romanet e saj janë shitur në mbarë botën me mbi 18 milionë kopje.

Nëse një mik vdes papritur në shtëpinë tuaj, policia nuk duhet lajmëruar kurrë dhe në asnjë mënyrë. Kjo ishte fjalia që dikush, gjatë një bisede në shtëpinë e miqve të përbashkët, i rrëfen protagonistit të romanit, Baptiste Bordave, si një lloj anekdote dhe këshille paksa të frikshme. Më mirë thërrisni një taksi për ta çuar mikun urgjent në spital, me pretekstin se nuk ndihet mirë.

Konstatimi i vdekjes le të bëhet në shërbimin e urgjencës, dhe kështu, me dëshmitarin përkrah, do të vërtetohet se personi vdiq gjatë rrugës për në spital dhe se vrasësi nuk

jeni ju. Në këtë mënyrë do t'ju lënë të qetë dhe nuk do të keni kurrë punë me policinë. Ditën tjetër një i huaj vjen në shtëpinë e tij dhe papritur, teksa është duke folur në telefon, i huaji vdes.

Baptiste nuk kërkon asnjë ndihmë, merr Jaguarin e njeriut që sapo dha shpirt, gjen vilën e tij luksoze dhe merr identitetin dhe jetën e të ndjerit. Ai bie në dashuri me gruan e bukur të të vdekurit, e cila jeton në dehje nga rezervat e shampanjës që ndodhen në vilë. Kureshtja më e madhe e Baptiste është që të zbulojë se kujt iu bë thirrja e fundit telefonike nga shtëpia e tij? Kishte të dashur ai që vdiq? Apo dikush e donte Baptisten të vdekur?

Amélie Nothomb (Belgjikë, 1966) është vajza e një diplomati belg dhe pjesë e njërës prej familjeve më të shquara belge. Ajo e kaloi fëmijërinë e saj në Japoni, më pas u zhvendos në Kinë për arsye diplomatike. Për herë të parë erdhi në Europë në moshën 17 vjeçare dhe u vendos në Bruksel, së bashku me familjen. Atje u diplomua në filologjinë klasike në Universitetin e Brukselit, por e pati të vështirë të integrohej. Pas diplomimit, vendosi të kthehet sërish në Tokio për të thelluar njohuritë e gjuhës japoneze "Të largohesha nga Japonia, për mua ishte si të më shkulnin nga vendi më i dashur" shkruan ajo në një nga autobiografitë e saj. Më pas u zhvendos në Kinë, në New York, ku Amélie ndoqi shkollën e mesme franceze dhe ushtroi pasionin e saj për vallëzimin klasik. Largimi nga New York përkon me fundin e fëmijërisë së saj dhe fillimin e periudhës së vështirë adoleshente.


Libri u përkthye nga orogjinali frëngjisht nga Amantia Kapo. Redaktimi letrar dhe kujdesi në botim Silvana Leka. Përkthimi i  kësaj vepre u mbështet nga Minisreia e Kulturës, si pjesë e Fondit për Përkthimin Letrar.

08 November 2017

“Alle Da”: Që fëmijët të përfshihen si qytetarë europianë

"Alle Da": Që fëmijët të përfshihen si qytetarë europianë

Gazeta Mapo

Botimeve Poeteka për fëmijë dhe të rinj iu shtohet edhe një libër i ri. Titulli i këtij libri është Alle Da! – Të gjithë së bashku! – dhe është vlerësuar nga lexuesit dhe nga kritika si një nga prurjet më të suksesshme të letërsisë gjermane të këtij zhanri botuar gjatë viteve të fundit. Ky botim vjen në një format të veçantë të letërsisë për fëmijë dhe të rinj, pasi të dyja tekstet, origjinali dhe përkthimi ofrohen përballë, në gjermanisht dhe në shqip

Botimeve Poeteka për fëmijë dhe të rinj iu shtohet edhe një libër i ri. Titulli i këtij libri është Alle Da! – Të gjithë së bashku! – dhe është vlerësuar nga lexuesit dhe nga kritika si një nga prurjet më të suksesshme të letërsisë gjermane të këtij zhanri botuar gjatë viteve të fundit. Ky botim vjen në një format të veçantë të letërsisë për fëmijë dhe të rinj, pasi të dyja tekstet, origjinali dhe përkthimi ofrohen përballë, në gjermanisht dhe në shqip, gjë që ia rrit vlerën librit, zgjeron mundësitë e përdorimit jo vetëm për kënaqësi lexime, por ai u drejtohet gjithashtu edhe atyre që dëshirojnë të mësojnë apo të zgjerojnë njohjen ndaj gjermanishtes.Përveç këtyre, vlerë tjetër e librit është edhe një sfidë përkthimore, pasi gjithkush mund të sprovohet ta përkthejë tekstin edhe vetë tekstin, duke e vështruar si një version i hapur dhe ushtrimi ndaj një lloji specifik të përkthimeve. Kjo për faktin se librat e kësaj kategorie për fëmijë dhe të rinj përdorin një gjuhë të veçantë komunikimi dhe mjetesh shprehëse. Libri me ilustrime Alle Da! – Të gjithë së bashku! është një vepër e rëndësishëm e komunikimit dhe edukimit të sotëm me fëmijët dhe të rinjtë, ku kjo kategori moshore nuk mbahet larg ndodhive dhe çështjeve ku përfshihet "shoqëria e të rriturve". Përmes librave ngulmohet që edhe fëmijët të marrin pjesë si qytetarë europianë. Tema është frymëzuese. Ajo mbështetet në ngjarjet aktuale të valës së emigrimit masiv që ka përfshirë Europën sot, duke bërë, si rrallë më parë, edhe fëmijët në përjetimin, vlerat dhe pasojat e kësaj ngjarjeje.

Libri është tërheqës dhe gjithëpërfshirës në lexim. Ai vërtet u drejtohet fëmijëve dhe adoleshentëve të moshave shkollore dhe është konceptuar për t'u lexuar edhe në klasa, me grupe, por ai është një ftesë për t'u lexuar bashkë me prindërit, në shtëpi, pasi jep kënaqësi në lexim dhe këshilla të shkëlqyera rreth temës së mirëkuptimit, bashkëjetesës dhe tolerancës. Përveç kësaj, libri jep informacion mbi gjeografinë e vendeve, mbi historinë e shteteve, të cilat vijnë jo si leksion, por përmes rrëfimit të personazheve.

Përmes ndodhive të disa fëmijëve të ardhur nga skaje të ndryshme të botës ky libër na ndihmon të kuptojmë çfarë kanë të përbashkët mes tyre njerëzit dhe çfarë i bën ata të ndryshëm, si lindin dhe çfarë i mban gjallë paragjykimet, çfarë na e bën të vështirë integrimin në jetët e njëri-tjetrit, sidomos kur vijmë nga kultura të ndryshme!

Libri të mban të mbërthyer deri në fund të historisë dhe shkruar me gjuhë të thjeshtë e me humor. Komunikimi ndihmohet nga ilustrimet plot fantazi. Por të gjitha së bashku, gjuha e tekstit dhe ilustrimet, të ushqejnë me mendime dhe informacion të këndshëm falë tekstit të Anja Tuckermann dhe ilustrimeve të Tine Schulz.

Libri u përkthye në shqip nga Eljana Mankollari

Redaktimi dhe kujdesi në botim u krye nga Silvana Leka, si pjesë e "Botimeve Poeteka", 2017.

Për librin

Ne të gjithë vijnë nga diku tjetër. Në qoftë se kthehemi pas në kohë dhe në histori mësojmë se kemi ardhur nga larg. Samira erdhi me një anije që u nis nga Afrika dhe një kamion. Amadit i mungojnë shokët e futbollit që kishte në Irak, por për shkak të luftës, ai duhej të largohej nga vendi i tij. Tani ai shënon gola me miqtë e rinj në Düsseldorf. Dilara ka lindur në Berlin, por flet rrjedhshëm turqisht dhe pëlqen të festojë "festivalin e sheqerit". Familja e saj erdhi vite më parë nga Anadolli, sepse në Gjermani kishte më shumë mundësi për t'u gjetur punë. Tani ne jetojmë të gjithë së bashku, në të njëjtin vend. Kjo mund të jetë emocionuese, por nganjëherë kjo është edhe e vështirë. Sidoqoftë, jeta bëhet më e gjallë kur njerëzit nga të katër anët e botës dhe të gjitha sferat e jetës bashkohen.


https://www.mapo.al/2017/11/alle-da-qe-femijet-te-perfshihen-si-qytetare-europiane/1


“Alle da!”, të gjithë së bashku, një histori emigrimi

"Alle da!" - "Të gjithë së bashku" - Një histori emigrimi... 

"Alle da!", të gjithë së bashku, një histori emigrimi 

- Gazeta Shqiptare Online | 

Autor i tekstit Anja Tuckermann; 
Ilustroi  Tine Schulz. 
Përktheu në shqip Eljana Mankollari.
Redaktimi dhe kujdesi në botim Silvana Leka
Botimet "Poeteka", 2017
 

Gjerdanit të Botimeve "Poeteka" për fëmijë dhe të rinj i shtohet edhe një libër i ri. Titulli i këtij libri është "Alle da! – Të gjithë së bashku! – dhe është vlerësuar nga lexuesit dhe nga kritika si një nga prurjet më të suksesshme të letërsisë gjermane të këtij zhanri, botuar gjatë viteve të fundit. Ky botim vjen në një format të veçantë të letërsisë për fëmijë dhe të rinj, pasi të dy tekstet, origjinali dhe përkthimi ofrohen përballë, në gjermanisht dhe në shqip, gjë që ia rrit vlerën librit, zgjeron mundësitë e përdorimit jo vetëm për kënaqësi lexime, por ai u drejtohet gjithashtu edhe atyre që dëshirojnë të mësojnë apo të zgjerojnë njohjen ndaj gjermanishtes. Përveç këtyre, vlerë tjetër e librit është edhe një sfidë përkthimore, pasi gjithkush mund të sprovohet ta përkthejë tekstin edhe vetë tekstin, duke e vështruar si një version i hapur dhe ushtrimi ndaj një lloji specifik të përkthimeve. Kjo për faktin se librat e kësaj kategorie për fëmijë dhe të rinj përdorin një gjuhë të veçantë komunikimi dhe mjetesh shprehëse. Libri me ilustrime "Alle da!" – "Të gjithë së bashku" është një vepër e rëndësishëm e komunikimit dhe edukimit të sotëm me fëmijët dhe të rinjtë, ku kjo kategori moshe nuk mbahet larg ndodhive dhe çështjeve ku përfshihet "shoqëria e të rriturve". Përmes librave ngulmohet që edhe fëmijët të marrin pjesë si qytetarë europianë. Tema është frymëzuese. Ajo mbështetet në ngjarjet aktuale të valës së emigrimit masiv që ka përfshirë Europën sot, duke bërë, si rrallë më parë, edhe fëmijët në përjetimin, vlerat dhe pasojat e kësaj ngjarjeje. Libri është tërheqës dhe gjithëpërfshirës në lexim. Ai vërtet u drejtohet fëmijëve dhe adoleshentëve të moshave shkollore dhe është konceptuar për t'u lexuar edhe në klasa, me grupe, por ai është një ftesë për t'u lexuar bashkë me prindërit, në shtëpi, pasi jep kënaqësi në lexim dhe këshilla të shkëlqyera rreth temës së mirëkuptimit, bashkëjetesës dhe tolerancës. Përveç kësaj, libri jap informacion mbi gjeografinë e vendeve, mbi historinë e shteteve, të cilat vijnë jo si leksion, por përmes rrëfimit të personazheve. Përmes ndodhive të disa fëmijëve të ardhur nga skaje të ndryshme të botës, ky libër na ndihmon të kuptojmë çfarë kanë të përbashkët mes tyre njerëzit dhe çfarë i bën ata të ndryshëm, si lindin dhe çfarë i mban gjallë paragjykimet, çfarë na e bën të vështirë integrimin në jetët e njëri tjetrit, sidomos ku vijmë nga kultura të ndryshme! Libri të mban të mbërthyer deri në fund të historisë dhe shkruar me gjuhë të thjeshtë e me humor. Komunikimi ndihmohet nga ilustrimet plot fantazi. Por të gjitha së bashku, gjuha e tekstit dhe ilustrimet, të ushqejnë me mendime dhe informacion të këndshëm falë tekstit të Anja Tuckermann dhe ilustrimeve të Tine Schulz. Libri u përkthye në shqip nga Eljana Mankollari. Redaktimi che kujdesi në botim u krye nga Silvana Leka, si pjesë e Botimet "Poeteka", 2017

PËRMBAJTJA NË PAK RADHË

Ne të gjithë vijmë nga diku tjetër. Në qoftë se kthehemi pas në kohë dhe në histori, mësojmë se kemi ardhur nga larg. Samira erdhi me një anije që u nis nga Afrika dhe një kamion. Amadit i mungojnë shokët e futbollit që kishte në Irak, por për shkak të luftës, ai duhej të largohej nga vendi i tij. Tani ai shënon gola me miqtë e rinj në Düsseldorf. Dilara ka lindur në Berlin, por flet rrjedhshëm turqisht dhe pëlqen të festojë "festivalin e sheqerit". Familja e saj erdhi vite më parë nga Anadolli, sepse në Gjermani kishte më shumë mundësi për të gjetur punë. Tani ne jetojmë të gjithë së bashku, në të njëjtin vend. Kjo mund të jetë emocionuese, por nganjëherë kjo është edhe e vështirë. Sidoqoftë, jeta bëhet më e gjallë kur njerëzit nga të katërta anët e botës dhe të gjitha sferat e jetës bashkohen. Të gjithë së bashku, pra! Alle da!



Total Pageviews