24 June 2017

Letërsi e panjohur nga Shqipëria në Beograd - Sharing the same shelf. We’re not sharing the same dreams. Anymore...

Libraria e rajonit: 

Letërsi e panjohur nga Shqipëria në Beograd

Postuar më: 24 June 2017 14:16










Ditët e fundit në Beograd u organizua takimi "Letërsia e panjohur nga Shqipëria". I ftuar ishte Arian Leka, shkrimtar, editor i revistës "Poeteka" dhe profesor në Fakultetin e Artit në Tiranë, i cili bashkëbisedoi me poetin e njohur Miloš Živanović dhe kritikun letrar Saša Cirić, gjithashtu redaktorë të elektroportalit dhe suplementit të angazhuar letrar "Beton".

Ditët e fundit në Beograd u organizua takimi "Letërsia e panjohur nga Shqipëria". I ftuar ishte Arian Leka, shkrimtar, editor i revistës "Poeteka" dhe profesor në Fakultetin e Artit në Tiranë, i cili bashkëbisedoi me poetin e njohur Miloš Živanović dhe kritikun letrar Saša Cirić, gjithashtu redaktorë të elektroportalit dhe suplementit të angazhuar letrar "Beton". Arsyeja e realizimit të kësaj veprimtarie ishte e veçantë, pasi edicioni i qershorit të suplementit letrar "Beton" iu kushtua tërësisht letërsisë bashkëkohore nga Shqipëria dhe prurjeve më të reja të saj. Materiali letrar i kësaj paraqitjeje u përzgjodh nga Arian Leka, i cili e shoqëroi botimin me  parathënien me titullin: "Sharing the same shelf. Ëe'are not sharing the same dreams. Anymore…!"Në këtë edicion u paraqitën 6 autorë dhe 2 përkthyes, u botua prozë e shkurtër nga, Ardian Kuçuku, Mira Meksi dhe Ylljet Aliçkaj, përkthyer nga Anton Berisha, si edhe poezi nga Sabina Veizaj, Lindita Arapi dhe Mariklena Niço, me përkthimin e Shkëlzen Maliqit. Si parafjalë u përdor prania e mëhershme në përkthimet në gjuhën serbe të autorëve modernë shqiptarë, të tillë si Ismail Kadare, Bashkim Shehu, Ridvan Dibra, Luljeta Leshanakut, Zija Çela, Anilda Ibrahimi e të tjerë, duke vërejtur gjithashtu se me gjithë një lloj lëvizjeje, letërsia shqipe dhe autorët shqiptarë, nuk kanë zënë ende vend në stendat e librarive, se edhe me ndonjë përjashtim  të rrallë, ata nuk janë bërë ende pjesë e veprimtarive kulturore a si festivalet apo rezidencat letrare.

Paneli mes ligjëruesve Arian Leka, Miloš Živanović dhe Saša Cirić u ndoq nga studentë të Katedrës së Albanologjisë, të Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në Fakultetin Filologjik në Beograd, drejtuar nga Profesor Naile Imami, nga përfaqësues të ambasadës shqiptare në Serbi, nga përkthyes të tillë si Hamdi Ukaj, i cili ka përkthyer krijimtari nga Kim Mehmeti dhe Fatos Kongoli, por edhe nga shumë vizitorë të interesuar në marrëdhëniet serbo-shqiptare në kulturë.

Takimi u zhvillua në Qendren e Kulturës "Parobrod" dhe u organizua nga Lëvizja Evropiane në Serbi, si pjesë e projektit të "Qendrës së Përbashkët për marrëdhëniet shqiptaro-serbe",  me të cilën bashkëpunuan Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Lëvizjes Evropiane në Serbi dhe Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare në Tiranë me mbështetjen e granteve të Republikës Federale të Gjermanisë. Përtej këtyre, u trajtua historiku rreth vendit që zenë dhe rolit që luajnë përkthimet e autorëve shqiptarë dhe serbë në kulturat përkatëse, u prek tema e gjendjes së sotme të përkthimeve nga gjuha shqipe në atë serbe dhe anasjelltas, si dhe fenomene të hasura në praktikën përkthimore dhe editoriale. Gjatë bashkëbisedimit, të intervistuarit përmendën edhe ecurinë dhe hapjen e letërsisë shqiptare përmes revistës "Poeteka" dhe partnerëve të saj, e cila, në krye të 3 vjetëve, prej vitit 2014, kur Klubi letrar "Booksa" në Zagreb, botoi antologjinë e prozës dhe poezisë shqiptare dhe më pas botimi i plotësuar me autorë dhe parathënie në deri në "Kaplje", (botim i "OKF", Mal të Zi, 2017) dhe së fundmi me "Beton", ka paraqitur lexuesit  27 autorë shqiptarë të letërsisë bashkëkohore.

Debati: Në fokus të debatit letrar mes Arian Lekës, Miloš Živanović-it dhe Saša Cirić çështjet që i prekin të dyja letërsitë, të tilla si fenomeni i rikthimit të klisheve dhe stereotipeve, prirjet dhe format e letërsisë bashkëkohore në Shqipëri dhe në Serbi, përfaqësimi i letërsive  të dy vendeve sot, përpunimi i një "strategjie" letrare që mban parasysh jo lexuesin vendas apo lexuesin si të tillë, në përgjithësi, por kryesisht lexuesin e huaj, atë perëndimor. Bashkëbisedimi u ndal edhe në çështjet e kundërshtimit të trashëgimisë së drejtpërdrejtë letrare të së "kaluarës së afërt" të realizmit socialist dhe refuzimit të "modeleve patronimikë" – të pronësisë së trashëguar nga "etërit letrarë" dhe nevojës së krijimit të një kundërkulture brenda letërsisë shqiptare.

Me poetin Miloš Živanović, Arian Leka bisedoi edhe mbi tendencën për zgjerimin e zonës së vetmisë brenda letërsisë shqiptare për shkak të pamjaftueshmërisë së përkthyesve dhe të politikave ngulmuese në këtë fushë, por edhe një lloj "kredhjeje" të autorëve në zbulim të unit ekzistencial. Kjo gjë, siç u nënvijëzua, jo në pak raste ka krijuar lidhje me "kujtimin e turbullt" të letërsisë me direktivë, ku "ideologjia e konsumit" ka zëvendësuar "ideologjinë  politike", duke pretenduar se ka gjetur të vërtetën me argumentin e shitjes në shkallë të gjerë të librit dhe duke barazuar kriterin e të qenit "i përkthyer" me kriterin "vlerë letrare".

Arian Leka ndau gjithashtu me publikun mendime rreth përjetimit të asaj forme jete kaluar në një "provincë të kuqe", pjesë e një "Perandorie të Kuqe". Ai u ndal në faktet e pengimit të lirive nën diktaturë, ku shqiptarët, me gjasë kanë provuar ndëshkimin më të rëndë edhe nga vendet e tjera të kampit socialist. Kjo për shkak se Shqipëria ishte pjesë  zonës "as / as", ajo ndodhej jashtë çdo vëzhgimi, jashtë kontrollit dhe monitorimit, larg përgjegjësive ndaj institucioneve ndërkombëtare, nuk i përkiste dhe nuk i bindej as "juridiksionit" të Bllokut Lindor dhe as marrëveshjeve të të drejtave njerëzore që buronin nga Perëndimi. Duke u shprehur për këto, Arian Leka vuri theksin edhe tek "angazhimi" apo përfshirja e artistëve në shoqërinë e shkuar dhe ngjashmëritë e këtij rreshtimi në shoqërinë e sotme.

Intervista: Ndërkohë, në intervistën me kritikun Saša Cirić, dhënë për radion "Beograd 2", Arian Leka ndau përshtypje rreth temave dhe motiveve të shfaqura në dy libra të tij me ese botuar në gjuhën serbe dhe malazeze, respektivisht "Dolap" (botuar nga "Književna Radionica Rašić", 2015) dhe "Jedanaest akustičnih eseja" ("Plima", 2016).

Duke i dhënë një përgjigje pyetjes së kritikut serb, se si qëndron çështja e qartësimit të marrëdhënies me të shkuarën, Arian Leka nënvijëzoi "motivin e thuprës", shfaqur në esetë e tij, duke u shprehur se vetëm fshikullimi, vetëm përqeshja e së kaluarës dhe izolimi i së keqes vetëm brenda zonës së socializëm-komunizmit, siç po ndodh në mjaft tekste të sotëm të letërsisë shqiptare, është i pamjaftueshëm.

Në intervistë Leka theksoi se ka një anashkalim të qëndrimeve të qarta, që nga historiografia e deri te krijimtaria letrare, të cilat i kanë ende të pashlyera llogaritë jo vetëm me socializmin dhe me strukturat e tij në kulturë, por edhe me e trajtimin e së kaluarës, si Lufta e Dytë Botërore, fashizmi e nazizmi, bashkëpunimet, disidencat dhe pengimet etj. Po ashtu, në këtë intervistë u theksua se vërehet vonesë në përjetimin ekzaltues, pa qëndrim kritik ndaj "sistemit të ri" kapitalist.

Në të njëjtën marrëdhënie rri sentimentalizimi i së kaluarës, sidomos në tekstet e poezisë dhe prozës, ku shfaqet "fëmijëria nën diktaturë". Ky lloj i nostalgjisë së "fëmijërisë socialiste", që e ka gjetur "bukurinë estetike" në oborret e shtëpive, në rrëfenjat e mençura të gjyshërve, te "liria" e ëndërrimeve, te arratia e përkohshme përmes ekraneve të ndaluara të shteteve fqinjë. Këto vepra "të gatshme për eksport letrar" paraqesin ekzotikën e një të kaluare që kaloi pa trauma, që nuk e dalloi dhunën, por që përtej përshkrimeve, nuk analizon domethënien e jetës në një vend të mbyllur, të izoluar që, si kufi skajor me botën e lirë kishte piramidat beton-arme në tokë, antenat e Radio-TV Tiranës në kokë dhe tri radhë me fuçi lundruese në det. Për këtë lloj fëmijërie të idealizuar nostalgjia është e mangët dhe vajtimet nuk mjaftojnë.

Bashkëbisedimi me Saša Cirić ndalet gjithashtu edhe në mënyrën se si shqiptarët e kanë vëzhguar Europën dhe Perëndimin, duke marrë shkas nga përfytyrimi i "europianit dhe i kontinentit të tij" parë nga jo vetëm nga vrima çelësi, por edhe dritarja e gabuar e gabuar herë-herë, duke iu referuar këtu valëve dhe sinjaleve të televizionit jugosllav dhe të "desantimit të imazhit të jugosllavit si i dashur armik". Dialogu preku edhe temat e "mbivendosja e realiteteve false" në të dyja kulturat, mashtrimi i të dy shoqërive, një herë me socializmin dhe më pas me modelin e një demokracie të deformuar, ndërthurur me nacionalizmin, anarkinë e tregut, që në jetën e popujve që përjetuan post-totalitarizmin solli shumë zhgënjim. Këto çështje, siç u shprehën bashkëbiseduesit, nuk kanë gjetur ende vendin dhe vëmendjen në tekstet letrare, që shfaqin pak qendrime kritike ndaj demokracisë dhe kapitalizmit.









Arian Leka: 

Sharing the same shelf. We're not sharing the same dreams. Anymore...

Letërsia shqipe - në cilën librari?! 

Europiane, apo as Lindje as Perëndim?

Në libraritë e qyteteve tona nuk luftohet për hapësira kulturore. Në këto librari luftohet për influencë dhe me gjeopolitikë.Në libraritë e Ballkanit lufta bëhet për ekzistencë dhe të qenit faktor. Thënë thjesht: në libraritë e Europës Juglindore, ku bëjnë pjesë edhe dy vendet tona, luftohet për zaptim territoresh

Lista e Michel Focault mbi hapësirat heterotopike – në të cilën ai përfshin anijet dhe bibliotekat, muzetë dhe spitalet, motelet dhe burgjet, shtëpitë publike të pushimit dhe varrezat, saunat nordike apo një hamam oriental – mund të pasurohet me libraritë. Kjo pasi edhe libraritë janë gjithashtu projekte utopike. Pavarësisht se ku ndodhen, në një provincë ballkanase apo në një qytet të madh europian, libraritë janë zona ku dualitetet e hapësirave, të marrëdhënieve dhe të kuptimeve kërleshen mes tyre, ku koha fizike e jetës dhe koha mendore e përjetimit ndeshin për të qenë realë, njëlloj si imazhi i pasqyrës me njerun.

Por ti lexues, që vjen nga trashëgimia e zymtë totalitare, që je velur nga keqpërdorimi i ekzotikës së dhunës, të gjakut e përdhunimit dhe që kërkon të lexosh letërsi të mirë, pavarësisht se nga cili vend i botës vjen ajo, mos i idealizo libraritë e Europës Juglindore, të Ballkanit apo të Haemusit, siç quhej dikur. Lërua të tjerëve padjallëzinë. Përfytyrimi i librarive tona si hapësira brenda dhe njëkohësisht jashtë kohe përmban naivitet të shtirur po aq sa pijet dietike përmbajnë sheqer të fshehur dhe kalori. Libraria në hapësirat publike të qyteteve të Ballkanit nuk shpiku asgjë të re. Pas luhatjes mes formës së muzeut dhe shëtitores peripatetike, ajo përforcoi modelin e vendit ku njerëzia mblidhen jo për të rrahur mendime. Libraritë tona janë hapësira kulturore e politike brenda hapësirës tregtare. Asgjë tjetër nuk ka ndodhur, përveç evolucionit kapitalist. Ata që nuk rrinë bashkë në jetë, takohen në librari. Le Livre Noir du Capitalisme. The Black Book of Communism. Enver Hoxha në një raft me Marshallin Tito. Shihe të vërtetën në sy, homo balkanicus. Jemi apo nuk jemi fëmijë të distopive? Mes gjithë llojeve të librarive të shpikur, libraritë tona janë ndryshe, apo jo? Bashkë me idealizmin, konsumizmi fertilizoi edhe iluzionin tonë të ri. Ti e di. Në libraritë e qyteteve tona nuk luftohet për hapësira kulturore. Në këto librari luftohet për influencë dhe me gjeopolitikë.Në libraritë e Ballkanit lufta bëhet për ekzistencë dhe të qenit faktor. Thënë thjesht: në libraritë e Europës Juglindore, ku bëjnë pjesë edhe dy vendet tona, luftohet për zaptim territoresh.

Këto mendoja para disa ditësh, teksa ecja përmes rafteve të njërës prej librarive të mëdha në Tiranë. U gjenda aty më 23 prill, Ditën Botërore të Librit dhe, teksa ecja mes imitimit të kolonave korintike dhe pasqyrave që shumëfishojnë blerësit, pyeta nëse kishte patur ndonjë interesim të shtuar mbi librat që ne kishim botuar së fundmi? Autorë nga rajoni ynë – malazezë, serbë, maqedonas, boshnjakë, sllovenë, kroatë… Dialogu me librashitësin dashamirës ishte siç dramaturgjia klasike e kërkon: Unë: Ku mund t'i ekspozojmë pak më dukshëm, pak më mirë librat tanë? Ai: Në ekspozitorin e librit të ri. Unë: Zakonisht si i ndani? Si e gjen lexuesi letërsinë ballkanike, që ne botojmë? Ku i drejtoni lexuesit, kur ju kërkojnë autorë nga rajoni ynë? Ai: Letërsinë e ndajmë sipas vendeve dhe gjuhëve? Letërsi franceze. Letërsi italiane. Letërsi angleze. Unë: Po letërsinë e rajonit, ku? Kur rri letërsia ballkanike? Ai: E kemi bashkuar me letërsinë ruse.

Të gjithë autorët që kishim botuar ishin strukur brinjazi në territorin rus. Madje disa prej tyre ishin futur thellë në sqetullën e hapësirës heterotopike të asaj stende të letërsisë ruse brenda një librarie shqiptare. Brothers in Arms with Russina Literature. Sharing the same shelf. We're not sharing the same dreams. Anymore.Ky ishte përfytyrimi. Perandoria e munguar rikrijohej në raftet e librarisë. Shkrimtarë të të gjitha vendeve me trashëgimi dhe të kaluar të përbashkët, "inxhinierë të shpirtrave", siç ju quante Stalini, bashkohuni në hapësirën utopike. Kriza. Divijimi. Rituali. Purifikimi. Nostalgjia më e rëndësishme se harta letrare dhe se territori. E shkuara më e rëndësishme se e ardhmja. Realiteti është shumë më i pasur se fantazia.

Kjo ishte panorama e një librarie në Tiranë. Po në një librari të Beogradit, në Sarajevë, në Podgoricë, në Zagreb, në Shkup a në Ljubljanë, nën sqetullën e cilës letërsi do të futej ajo pak letërsi e përkthyer prej letësisë shqiptare? Bëhej letërsia shqipe "republikë e shtatë letrare" e ish-Jugosllavisë? Ishte europiane apo as Lindje as Perëndim?

Përdorur në kontekstin e njohjes së letërsive tona tek fqinjët, do të pohoja se, edhe 10 vjet pas vdekjes, Jean Baudrillard ka të drejtë. Fqinjësia nuk qenkësh gjë tjetër pëveçse një zonë mbrojtëse – një rimodelim, dezinfektim, një projekt snob dhe spastrues – por mbi të gjitha, në një kuptim figurativ, fqinjësia qenkësh një makinë për të krijuar dhe prodhuar zbrazëti, mungesën e tjetrit, që na rri përballë e përbri.

*Fragment nga parathënia; titulli është redaksional, origjinali është: Sharing the same shelf. We're not sharing the same dreams. Anymore…

(Burimet: Beton: http://www.elektrobeton.net/vreme-smrti-i-razonode/sharing-the-same-shelf-were-not-sharing-the-same-dreams-anymore/ http://www.rts.rs/page/radio/sr/story/24/radio-beograd-2/2759143/oko-balkana.html)

http://www.mapo.al/2017/06/libraria-e-rajonit-letersi-e-panjohur-nga-shqiperia-ne-beograd/1

17 June 2017

LUAN STAROVA - Arian Leka: Shpëtimi i njerëzores te romani ‘Gjarpri i shtëpisë’

Nga Luan Starova

Arian Leka: Shpëtimi i njerëzores te 'Gjarpri i shtëpisë' 

- me rastin e botimit të librit në maqedonisht

Postuar më: 17 June 2017 11:43









Pjesë e gjeneratës që do të bënte kthesën dhe do ta çlironte Shqipërinë nga ky makth i paparë, është edhe Arian Leka i cili, përmes letërsisë që shkruan, jo vetëm shlyen llogaritë me të kaluarën socrealiste, por edhe punon për ta kthyer vendin në rrjedhat kulturore dhe estetike të Evropës, që i takoi dhe i takon.

Muzeu ateist dhe Deti si metaforë e hapësirës së frikshme dhe thirrje drejt lirisë

Ndodh që kur shkruhet për tjetrin, autori të zbulojë vetveten! Kjo më ndodh dhe mua, kur shkruaj për shkrimtarin Arian Leka. Edhe pse të dyve në jetë na ndan një periudhë kohore prej çerek shekulli (unë i lindur në 1941, ndërsa ai në vitin 1966), fati deshi të njihemi në Tiranë, në pranverë të vitit 2014, përmes asociacionit ndërkombëtar "Traduki", i themeluar me qëllim që të nxisë krijimtarinë letrare në vendet e Evropës Juglindore.

Edhe pse i lindur në Shqipëri edhe kur pothuajse tërë jetën e kisha kaluar në Maqedoni, unë e përjetova si "kthimin" e vërtetë në vendin tim të lindjes. Ndaj edhe përmes këtij kthimi dhe përmes krijimtarisë së Arian Lekës, vendosa që, me tërë sinqeritetin dhe emocionet e natyrshme, të ndërlidh këtë shënim edhe me udhëtimin tim të parë në Shqipëri, në pranverën e vitit 1979, kur unë si shkrimtar, së bashku me një grup aktorësh mbërritëm në Shqipëri (pa e ditur paraprakisht se vendi festonte 100 vjetorin e Stalinit) për të përzgjidhur një shfaqje për dramën shqipe në "Teatrin e kombësive" në Shkup, në shenjë të "kontributit modest në ngrohtësimin e raporteve të ftohta shqiptare – jugosllave".

E tërë vizita asokohe varej nga "diktati" i mikpritësve (kush e di se kush ishin të tjerët, përkrah aktorëve?) që të përzgjedhej një shfaqje e vrazhdë socrealiste dhe provokative. Kjo gjë, në asnjë rast nuk mundi të më detyrojë të bëj kompromis me të kuptuarit tim për letërsinë, qoftë edhe për faktin se prej kohësh isha i çliruar nga kanonizimet socrealiste e të stalinizmit të të gjitha formave tek ne, në Jugosllavinë e atëhershme. Apoteoza ishte e planifikuar në Muzeun ateist në Shkodër, ku duhet të vinte deri te faza e fundit e "shplarjes së trurit" të vizitorëve si ne, gjatë së cilës kuptova se isha shënjestër e një sërë provokimesh gjatë tërë udhëtimit.

Muzeu ateist në Shkodër, më ngjante si një metaforë e të keqes globale, që në mënyrën më të mirë dëshmonte për "mendjen e robëruar" të diktatorit që e (ç)udhëhiqte vendin me të bindurit dhe të dëgjueshmit e vet ideologjikë. Duke mos u pajtuar deri në fund me diktatin e mikpritësve që të "stalinizohemi në përzgjedhjen e dramës dhe në sjelljen tonë", as vetë s'e di se si dola "shëndoshë e gjallë", nga vendlindja, pas një rrëmuje të vërtetë në pak ditët e udhëtimit nëpër Shqipëri.

Si revansh, jo thjesht ndaj regjimit dhe ideologjisë, as ndaj vendit dhe popullit të munduar, por ndaj fatit, prej Kolegjit të përkthyesve në Arles të Francës, ku gjendesha asokohe, shihja në ekran sesi Papa Gjon Pali II shenjtëronte viktimat dhe faltoren e Shkodrës, që ndodhej pranë Muzeut të dikurshëm ateist. Dhe, në njëfarë gjendje transi dhe katarsisi, si në një lloj të ushtruari, e çlirova nga vetja romaninMuzeu ateist, që u botua edhe në Francë në vitin 1999, (Le musee de l'atheisme, Fayard, Paris).

Pjesë e gjeneratës që do të bënte kthesën dhe do ta çlironte Shqipërinë nga ky makth i paparë, është edhe Arian Leka i cili, përmes letërsisë që shkruan, jo vetëm shlyen llogaritë me të kaluarën socrealiste, por edhe punon për ta kthyer vendin në rrjedhat kulturore dhe estetike të Evropës, që i takoi dhe i takon.

Udhëtimi në Shqipëri, nga njëri skaj në skajin tjetër të vendit, nga Shkodra veriore deri tek qyteti jugor antik, Butrinti, padyshim nën shoqërimin e agjentëve të "Sigurimit", i theksuar edhe në romanin Muzeu ateist, me inicialet X.X, në udhëtimin e skëterrshëm "në vendin parajsor të komunizmit", një mesdite pranvere të vitit 1979 sa solli në Durrës, në vendlindjen e shkrimtarit Arian Leka, asokohe 18 vjeçar. Këtu, në bregun e detit, në prag të lirisë, Arian Leka do ta ndjejë tragjizmin e popullit të vet, pasojat e izolimit total në kufijtë më hermetikë me fqinjët, futur në një labirinthin absurd të shtatëqind mijë bunkerëve.

Kështu herët në jetën e Arianit, në qytetin e tij të lindjes me zulmë antike, më vonë edhe përmes veprës së tij poetike dhe të tregimit, deti do të funksionojë jo vetëm si metaforë e gjithëpranishme për hapësirën e frikshme që e izolon njeriun dhe mendimin e tij, por edhe si thirrje drejt lirisë.

Megjithatë, deti për Arian Lekën do të jetë edhe një rrëfim përmasë e përballjes me veten, me historinë, me fatin e izolimit në kohë dhe hapësirë, me ideologjinë ndërhyrëse dhe izoluese. Por, deti ia tregon autorit rrugën drejt katarsisit të pashmangshëm personal dhe kolektiv, rrugën drejt lirisë…

Motivet paralele të ekzilit dhe kthimit 

në Muzeun ateist dhe te Gjarpri i shtëpisë

Takimi me Arian Lekën, i cili më vonë dhe në mënyrë të veçantë do të realizohej në veprat tona letrare, në kthimin tim të vonuar në vendlindje, paraqitur në romanin Muzeu ateist, veçanërisht në episodin e bregdetit Adriatik të Durrësit dhe me autorin e Gjarpri i shtëpisë.

Letërsia e ka fuqinë që t'i ndërlidh nëpër gjenerata të ndryshme, elementet e thelbit të jetës së pandashme, në mungesën e njerëzve dhe praninë e të tjerëve.

Këtë ndjenjë pata, kur lexova së pari poezitë, tregimet dhe romanin e Arian Lekës. Ishte sikur në to ndodhej edhe barra ime e lënë buzë detit, por që tek ai vinte e shpalosur, e zgjeruar, me përvojën e tij, me rininë e tij, historinë e shtëpisë së tij, me bastionin patriarkal buzë detit, të krijuar nga emocionet familjare, nga lidhja e mëmësisë me fëmijët, nga lidhja me odiseadën e babait – detar, i cili nuk e arrin Penelopën e vet dhe që përjeton avarinë në breg, në shtëpinë stërgjyshore, i dëbuar prej të birit dhe nuses së tij, në shtëpinë e pleqve të verbër. Duke parë këtë krijimtari të Arian Lekës, ndjeva se ata më rikthyen diçka të fuqishme që më ishte marrë gjatë takimit tim të parë me vendin.

Të dy sikur të ishim përfshirë nga pasojat e një ekzili: ekzili i tij ishte i brendshëm, ndërsa i imi gjeografik, por thelbi ishte paradoksalisht i njëjtë.

Babai im, përjetësisht i munguar në familje, në kërkim të fatit të tij dhe harmonisë, vazhdimisht i kafshuar nga sindromi i kthimit, që asnjëherë nuk mund të jetë i vërteti, përveç në përqafimet e familjes, kthim që përjetësisht e priti.

Ndërsa babai i Arianit, gjëgjësisht i narratorit në Gjarpri i shtëpisë, ishte detar i anijeve lundruese tejoqeanike prej çerekshekulli. Kthimi i tij në tokë, në bregun e detit të Durrësit mitik, ishte një lloj kthimi në asketizëm, që do të kulminojë me dëbimin nga shtëpia e lindjes, i kultit të familjes, si vend i ëndërruar pas lundrimeve të gjata.

Në familjet shqiptare të bazuara në traditën patriarkale, në periudha të caktuara si në rastin e Durrësit buzë detit, premtues i të gjitha lundrimeve të rëndësishme nga vendi i izoluar, do të mbizotërojë matriarkalitet i caktuar. Gjyshet dhe nënat do të jenë shtyllat e shtëpive, personalitete të fuqishme, mburojat e familjes.

Edhe në familjen time dhe atë të Arianit u kënduan këngët shqiptare të trizëshme polifonike, tri zëra njëri pranë tjetrit në kërkim të harmonisë së vetme, në ikjekthimet e ndryshme, si himne të heshtura, që shënuan edhe çastet e gëzuara të jetës, këngë-lehtësuese, këngë – atdhe në dhe të huaj, kode të identitetit kundrejt pasigurisë dhe harresës, për ta përballuar më lehtë atë që njerëzit e kishin më të vështirë, himne të ikjes së pasigurt dhe kthimit traumatik, kur asgjë nuk është si dikur.

Në dyvargëshin e tij unë përherë shkoj, asnjëherë nuk kthehem, Arian Leka shpreh situatën paradoksale jo vetëm të ekzilit të vet, por edhe të popullit shqiptar, si edhe të atij universal… Duke lexuar dhe dëgjuar Arian Lekën në dialogjet tona pafund, në shoqërinë e përbashkët të spirancës së detit në breg, sikur përmbusha diçka, një kohë të gjatë të paarritshme, të humbur, të grabitur kur u gjenda në Durrësin e tij, "fanarin ballkanik universal", në kohën e izolimit të madh të Shqipërisë, nën presionin e regjimit komunist – stalinist të vitit 1979.

Pavarësisht, nëse ishte ose jo fëmijë i kësaj shtëpie, nëse ishte ndonjëherë i pranishmi / i munguar, trembëdhjetëvjeçari Arian Leka, me të cilin ka gjasë të jem përshkuar buzë linjës detare në Durrës, shkrimtari Arian Leka, e ngriti me superioritet muret e kështjëllës së tij letrare mes detit dhe bregut, si dëshmi e tragjizmit të një kohe, e që është fanar drejt detit të lirë dhe të hapur prej kuçedrës shumëkokëshe.

Me krijimtarinë e vet Arian Leka paraqet mitologjinë e vendit të tij të lindjes, Shqipërinë, të ndërlidhur me simbolet detare, fatin e njerëzve dhe jetës, duke mbajtur parim lëvizës në veprën e tij letrare. Deri në romanin Gjarpri i shtëpisë, ky autor krijon një opus poetik brilant, boton libra dhe tregime, që më në fund të dëshmojë pjekuri të lartë të krijimtarisë, duke u shërbyer me teknikat më të reja të romanit, këmbëngulës në zotërimin e kompleksitetit të trajtimit të ngjarjeve në kohën e një kthese, siç ishte Shqipëria para rënies së komunizmit dhe më pas.

Robërimi i detit dhe shpëtimi i 

njerëzores në  situata të skëterrshme

Romanin Gjarpri i shtëpisë në gjuhën shqipe, dhe versionin e sukseshëm në gjuhën maqedone nga Mirjana Ilieva – Jashari (Botimet "Goten") , e përjetova si plotësim të vonuar të një ngjarjeje që më kishte ndodhur para shumë vitesh buzë detit në Durrës, në kohën e izolimit total të Shqipërisë, kur pak kush besonte se vendi do të dalë nga ai izolim, ndoshta njëri ndër të rrallët, si i talentuari Arian Leka, i cili e dëgjonte dhe zbulonte kodin çlirues të dallgëve. Në frymën e prozës së Arian Lekës, thënë metaforikisht, Gjarpri i shtëpisë fiton mbi kuçedrën detare. Rrënjët e Arian Lekës në jetë dhe në krijimtari janë atje, në Durrës, përgjithmonë mes bregut dhe detit, por më shumë në det se sa në breg. Atje ai i përjeton çastet parajsore të fëmijërisë, por edhe ferrin e rinisë për shkak të mosqasjes në det në të gjitha dimensionet e tij. Siç edhe gjendet dendur edhe në tekstet e tij, Arian Leka kujtohet se regjimi, në një periudhë e "robëroi detin", e bëri të rrezikshëm për njerëzit, vendosi atje tre kufij në ujëra, deri në barrierën e parë, përkatësisht kufi prej qindra metrash ku nuk mund të notohej lirisht, dhe ku rrallëkush guxonte të arrinte deri tek i treti, ndërsa nëse hynte tek i treti bëhej pre e sigurt e "Sigurimit", i cili e priste viktimën si kuçedër e fshehtë shumëkokëshe. Por, më të fuqishmen për kohën, ndërmjet bregut dhe detit, më shumë të bregut se sa të detit, Ariani do ta përjetësojë me shumësinë kuptimore të metaforës në poezinë e tij – Shpina e detitNjerëzit e mi ia kthyen shpinën detit / Dhe unë kam të njëjtën dobësi / i mbys anijet  / i shpoj në brinjë dhe iki larg / aty ku retë më kujtojnë peshqit / çdo varr është fllugë me velë të bardhë / atje ku çdo pemë rrit pemët në bark dhe anije /  ikin anijet / njerëzit e mi i kthyen shpinën detit / dhe nxjerrin zorrët / veç nga e ëmbla bukë e tokës / dhe nga pijet. Me veprat paraprake në prozë Arian Leka jep dëshmi të çmuar se si komunizmi stalinist dhe regjimi politik mund t'i deformojnë njerëzit, por dhe si të tjerët patën sukses, përkundër torturës së fuqishme, ta shpëtojnë njerëzoren në vete në situata të skëterrshme.  Ai të kujton në atë që thotë Edgar Moren në romanin autobiografik se "regjimet ideologjike bëjnë nga shërbetorët e tyre të bindur, të gatshëm të jenë gjakpirës dhe kriminelë".

Nivele të komunikimit prani / mungesë në romanin Gjarpri i shtëpisë

Në romanin Gjarpri i shtëpisë, realizimi qendror dhe kulminant i Arian Lekës, në plan të parë është babai, edhe pse libri nuk ka karakter të ashpër autobiografik. Autori simbolikisht e emërton romanin e vet Gjarpri i shtëpisë, megjithatë në libër në asnjë situatë nuk përmendet gjarpri i shtëpisë. Natyrshëm lind pyetja, pse autori u përcaktua pikërisht për këtë titull të romanit? Megjithatë, prezenca e gjarprit të shtëpisë bëhet më emociones në mungesë të tij, kur ardhja e tij është proces i vazhdueshëm, akt i vazhdueshëm kërcënues që shfaqet, dhe njëherësh e ruan shtëpinë nga shkatërrimi. Ekziston besimi se gjarpri nuk guxon të vritet në shtëpi, madje dhe është zakon që atij t'i ofrohet qumësht si anëtar i familjes.

Romani Gjarpri i shtëpisë është i strukturuar kryesisht rreth plakut, babait të narratorit, thuajse tërë kohën e punës si lundërtar detar, si një motërzim ballkanik i Plaku dhe deti nga Hemingway, si plaku dhe gjarpri, plaku i mundur pas triumfeve në lundrimet e lira. Për të, zotërimi i skeletit të peshkut të gjuajtur, mishin e të cilit e kanë ngrënë peshkaqenët, janë anijet e lundrimit të babait – detar.

Disfatën e fundit e përjeton në breg, si zogu albatros, i pafuqishëm në breg, por princ në gjerësitë detare, kur do të jetë përfundimisht i dëbuar ng vlerat e tij kyçe, të cilat e lidhin me jetën: shtëpinë, familjen, qytetin. I ndalur përfundimisht në breg, plaku përpiqet ta kuptojë jetën pa ikjet e tij, daljet nga labirinthi i vendit të izoluar, me kufij të mbyllur dhe mijëra bunkerë, i pakuptueshëm dhe i papranueshëm nga të shtëpisë: i biri, nusja e të birit, të tjerët. E pranon jetën e re me durimin stoik, si përfitues i lundrimeve të gjata, por edhe pesimizmin e pamposhtur. Shpresa e mbledhur nga lundrimet e gjata, se në brg do ta presë përqafimi i familjes, humbet si dallgët në rërën e bregut në Durrësin e vendlindjes së dashur, në limanin e përhershëm të jetës dhe zhdukjes së tij. Afër komunikimit me veten, i mbeten lidhjet shpirtërore me babain e tij të humbur. Prania e tij në mungesë, si shtyllë patriarkale e familjes, si krijues i marrëdhënieve harmonike të familjes, tek plaku – marinar do t'i ndjejë si masë e sjelljes së të birit ndaj tij, do ta mbajë iluzioni se gjithçka do të jetë si dikur, por nuk do të jetë! Niveli i tretë i komunikimit të plakut zhvillohet me të birin, me fqinjët, deri në aktin kur do të jetë i dëbuar nga i biri, i verbër dhe i pafuqishëm, dhe i dërguar në shtëpinë e pleqve të verbër. Shtëpia e lindjes për plakun detar bëhet burg emocional, komunikimi me të birin është i varfër dhe i mundimshëm. Në atmosferë reale në romanet e Saramagos, ballafaqohemi me verbërinë e plakut, i cili beson se në fund, larg shtëpisë së lindjes ku e kafshoi gjarpri i shtëpisë, do të gjendet në shtëpinë e të verbërve ku ndjehet tragjikisht i lumtur, ndoshta i shpëtuar nga plaga e shkaktuar e gjarprit të shtëpisë…

                                                   * * *

Është thënë se ndoshta letërsia për disa nuk paraqet asgjë, por nuk ka asgjë tjetër që aq mund të përfaqësojë.  Është fat që përkthimi dhe botimi i romanit Gjarpri i shtëpisë i Arian Lekës, nga ana e botuesit të suksesshëm "Goten", përmasë e cila matet me publikimin e veprave të rëndësishme, dhe paraqet jo vetëm ndërlidhje të traditës së bukur të veprave cilësore dhe kulmore nga letërsia shqipe në Maqedoni, por edhe mundësi të veçantë për hapjen e rrugëve të reja për qarkullim të letërsive të gjeneratave të reja, në kushte të hapjes dhe mirëkuptimit ndërmjet dy popujve të afërt, të çliruar nga kufijtë izolues dhe kufizues të së kaluarës. Arian Leka, me veprën e tij poligrafe letrare si poet, tregimtar dhe romancier, eseist, përbën gjeneratën më të re të shkrimtarëve shqiptarë e cila në mënyrë radikale do të çlirohet nga socrealizmi me prerje radikale, duke iu afruar poetikës së romanit modern evropian.

(Fragmente nga pasthënia e botimit në gjuhën maqedonase. Titulli i origjinalit: "ËNDRRA DETARE E BREGUT".Teksti u përkthye nga Daim Miftari.

http://www.mapo.al/2017/06/arian-leka-shpetimi-i-njerezores-te-gjarpri-i-shtepise/1

13 June 2017

BOTIMET POETEKA - Niklas Luhmann - "SHORTCUTS" - Ese - Artikuj - Intervista

NIKLAS LUHMAN - në libraritë e Tiranës - më aktual se kurrë edhe për mjediset shoqërore dhe politike, vjen në shqip një nga mendimtarët më të shquar gjermanë të shekullit XX - sociolog dhe teoricien nga më të rëndësishmit në fushën e komunikimit. 


Autor i më shumë se 70 librave dhe rreth rreth 400 artikujve shkencorë me larmi subjektesh dhe tematikash, që përfshijnë politikën, artin, fenë, ekonominë, ekologjinë, mass-mediat dhe dashurinë.


Disa nga titujt në brendësi:

- Si votuam?
- Çfarë është komunikimi
- Prandaj dashuri
- Art konceptual
- Edhe brenda, edhe kundër
- Futbolli
- Risk në çdo rast
- Alternativë pa alternativë
::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::

Skeda e botimit:

Niklas Luhmann
Shortcuts
Ese - Artikuj - Intervista - hard cover
Përktheu Anila Shuka 
Faqe 178
Çmimi 1000
ISBN 978 – 9928-230-05-8
Tiranë 2017


BOTIMET POETEKA - Daša Drndić - “FËMIJËT E DASHURISË DHE URREJTJES" - roman dokumentar

FËMIJËT E DASHURISË DHE URREJTJES - nga shkrimtarja e mirënjohur kroate Daša Drndić.


E përcjellë me jehonë tepër pozitive nga kritika ndërkombëtare, romani i shkrimtares Daša Drndić vjen edhe për lexuesin shqiptar.

I botuar në gjuhët e mëdha të Europës - në Francë nga Gallimard me titullin "Sonnenschein", në Itali nga Bompiani, me titullin "Trieste", në anglisht nga Mariner Books e në gjermanisht nga Hoffmann und Campe - ky roman rrëfen historinë e Haya Tedeschini-t, e vetme në Gorizia, në verilindje të Italisë, e rrethuar nga një shportë me fotografi dhe me copa të prera gazetash.   


- një kryevepër në libraritë shqiptare - Botimet Poeteka, 2017

" ...Një kryevepër..." — A.N.Wilson, Financial Times

"Madhështor dhe përthithës. . ." — New York Times Book Review

"Original, tronditës!" — Guardian.

"Elementet e shumëfishtë, që përbëjnë historinë e Haya
Tedeschini-t dhe kontekstin e tyre të gjerë, janë një përzierje
tepër e dendur dhe e fuqishme." — Independent.


Kërkimet e Haya Tedeschinit e sjellin historinë e romanit edhe në Vlorë, Sarandë, Tiranë, në Hotel Dajti, në zemër të kryeqytetit shqiptar. Pas 62 vjetësh, kur ajo është një grua e moshuar tanimë, ajo pret të ritakohet, me djalin e vet, lindur nga lidhja dashurore mes saj dhe një oficeri SS, fëmijë ky, që më pas grabitet nga autoritetet gjermane, si pjesë e projektit të fshehtë të Himmler-it, quajtur "Lebensborn."

Prej këtij kolazhi të gjerë materialesh dhe kujtimesh lind kronika
tronditëse e pushtimit nazist në Italinë veriore. Fjalët e
pashlyeshme nga kujtesa janë: DASHURI dhe URREJTJE.

Romani i shkrimtares kroate Daša Drndić nuk është vetëm një libër mbi Holokaustin (i krahasueshëm për nga rëndësia me kryeveprat Primo Levi-t apo me Nekropolin e Boris Pahor).
Ai është gjithashtu një roman i madh i letërsisë bashkëkohore, i
aftë për të lidhur përmes regjistrave të ndryshëm gjuhësorë një
tregim polifonik, magmatik, gjithëpërfshirës, imponues, mbi
pushtimin nazist të Italisë veriore dhe më gjerë.
Është një vepër që rri mirë pranë kryeveprave të De Lillo-s,
Mailer-it, Sebald-it. Një libër tek i cili viktimat gjejnë përmendoren
e vet. Një patchwork, ku ekzekutorët dhe soditësit e verbër janë të ngjashëm, ku vargjet e poetëve të mëdhenj dhe fletët me nota
muzikore kthehen në kujtesë tronditëse, ku kriminelët, depozitimet, fotografitë dhe hartat gjenealogjike e risjellin, për të mos e harruar kurrë, atë urrejtje, atë dhunë dhe dashuri në kohë kolere.


Skeda e botimit:

Daša Drndić
Fëmijët e dashurisë dhe urrejtjes 
Roman - hard cover
Përktheu Ben Andoni
Faqe 404
Çmimi 1.500 lekë
ISBN 978 – 9928-230-01-0
Tiranë 2016


Botim i realizuar në bashkëpunim me TRADUKI

BOTIMET POETEKA - Jurij Hudolin - “THJESHTRI" - roman

BOTIMET POETEKA - Letërsi nga Sllovenia në libraritë e Tiranës

Një histori mbi dhunën në familje. Benjamini, fëmijë i një nëne shumë bukur, joshëse, por pa vullnet. Fëmijë i një babai që mungon në shtëpi dhe në jetën e tij. Mbi të gjitha, bashkëjetesë me një njerk të vrazhdë dhe të dashuruar me vetveten… 


Histori të fshehta, dashuri të parrëfyera, intime. Të gjithë përjetojnë tradhëti. Një familje e përfshirë nga pakënaqësia. Ikja. Arratia është vetëm njëra nga zgjidhjet.


Nuk është vetëm përvoja e një fëmije të keqtrajtuar, është panorama shoqërie, në kohën kur një rend i ri social po afrohet. "Thjeshtri" i shkrimtarit slloven Jurij Hudolin rrëfen dhunë dhe dashuri. 


Kur Benjamini ishte dymbëdhjetë vjeç, prindërit e tij shkuan secili në rrugën e vet. I rregulluan gjërat shpejt në gjykatë dhe nxituan si dy vrapues të zalisur nga dielli në mes të vreshtit të përvëluar, të kërkojnë fatin nëpër rrugë të pahulumtuara. Valter Zakrajsheku, babai i Benjaminit, ekonomisti jetëshijues, iu vu shërimit të ndërgjegjes së lënduar nga gota dhe nga përqafimi i femrave të tjera. Nëna e tij, Ingridi, mbeti vetëm me djalin e prekur nga adoleshenca. 
Në fakt, vetëm. Shumë shpejt, në një argëtim sindikalist të punëtorëve të administratës, ajo njohu Loris Çivitikon, hotelierin e pasur dhe pronarin e madh, që ishte fryrë si bretkosë dhe që tregonte muskujt në mallin e vet në Panula, një fshat i vogël në bregdetin kroat në Istria, që gjatë verës jetonte një jetë të ethshme, ndërsa dimrin e kalonte si zgëq i humbur në zbrazëtirën e një kafshe të pafund.


Skeda e botimit:

Jurij Hudolin
Thjeshtri 
Roman
Përktheu Nikollë Berishaj
Faqe 220
Çmimi 800
ISBN 978 – 9928-230-04-1
Tiranë 2017


BOTIMET POETEKA & Qendra Multimedia Multimedia Center - Prishtinë


Botim i realizuar në bashkëpunim me TRADUKI

BOTIMET POETEKA - Ognjen Spahić - “FËMIJËT E HANSENIT" - roman

"FËMIJËT E HANSENIT" në të gjitha libraritë e Tiranës

Humor i zi dhe dashuri në kohën e përmbysjes së sistemit komunist në Europën Qendrore dhe Juglindore. 


Ognjen Spahić - fitues i Çmimit Europian të Letërsisë, 2104


"Fëmijët e Hansenit" të Ognjen Spahić sjell sjell me forcë dhe elegancë, por pa mëshirë, pamjet e një bote që lexuesi i ka ndeshur me përmbysjen e regjimeve totalitare. Frikë për ta thënë deri në fund të vërtetën. Humor dhe horror përmes metaforës brilante komunizëm-lebër. 

Ognjen Spahić (Podgoricë, 1977) është nga romancierët e mirënjohur nga Mali i Zi.  Përveç gjuhëve të rajonit, ky roman është botuar edhe në anglisht, frëngjisht, italisht, sllovenisht, rumanisht, në gjuhën hungareze dhe në atë maqedonase.

Botim i realizuar në bashkëpunim me TRADUKI


Skeda e botimit:

Ognjen Spahić 
Fëmijët e Hansenit 
Roman - hard cover
Përktheu Janka Trifonova Selimi dhe Milena Selimi
Faqe 196
Çmimi 1000
ISBN 978 – 9928-230-05-8
Tiranë 2017

03 June 2017

Arian Leka botohet në Berlin - “Qeli prej Letre” - "Die Zelle aus Papier"


Arian Leka botohet në Berlin

"Qeli prej Letre" - "Die Zelle aus Papier"

Në antologjinë letrare "Glückliche Wirkungen"

Tregimi Arian Lekës, i cili e hap këtë antologji, titullohet "Qeli prej letre". Në gjuhën gjermane ky tregim është përkthyer nga Zuzana Finger dhe mban titullin "Die Zelle aus Papier". Të dy hartuesit e antologjisë, Alida Bremer dhe Michael Krüger, jo vetëm që kanë përzgjedhur krijimtarinë e autorëve dhe janë kujdesur për botimin, por edhe kanë shkruar për secilin nga krijimet e paraqitura në këtë antologji.

Ky botim i fundit u publikua falë përzgjedhjes dhe kujdesit të dy emrave të njohur për letërsinë në atë vend: të shkrimtarit, poetit e përkthyesit gjerman Michael Krüger, i cili është dhe gjithashtu edhe President i Akademisë Bavareze të Arteve të Bukura si dhe të shkrimtares, përkthyeses dhe kritikes letrare gjermano-kroate Alida Bremer.


Alida Bremer: "A si alfa dhe A si Albania. A është Alfa e kontinentit tonë, ndoshta atje, në rrugën e Otrantos, përpara bregdetit shqiptar të Mesdheut, ku ka pasur kaq shumë histori? A edhe si Antologjia.
Ne në gjermanisht e quajmë Antologji (Blütenlese), në latinisht ajo quhet Florilegium, në greqisht Anthologia, dhe është kjo antologji që mbledh përgjigje për pyetjen mbi imagjinatën për një botë më të mirë. Buqeta me lule e priftit dhe përkthyesit të dikurshëm Haxhimihali nga tregimi i Arian Lekës shënon fillimin e një Ere të Re në Shqipëri – një detyrë e vështirë kjo.

Michael Krüger: "Shqipëria, ky është vendi i shqiptarëve, është një vend i shkundur fuqishëm nga ideologjitë totalitare të shekullit XX. "Si mundi Zoti të lejonte që ne të qeshim dhe të qajmë me të njëjtët lot?" pyet veten Haxhimihali. Lindin pyetjet mbi rolin e fesë, që edhe pas fundit të ideologjive ende nuk kanë gjetur përgjigje."

Është hera e tretë në pak vjet që proza e shkrimtarit Arian Leka, zë vend disa prej antologjive europiane. Së pari kjo krijimtari është botuar në "BEST EUROPEAN FICTION", 2011, (London, Illinois). "Vëllezër në brisk" (Brothers of the Blade) titullohet tregimi i përkthyer nga Sara Lynn Smith, përzgjedhur dhe edituar nga shkrimtari Aleksandar Hemon me parathënie nga romancieri irlandez Colum McCann.

Më pas kjo botimet kanë vijuar me antologjinë "Das Hemd" (Leykam) Graz, Austri, 2014, ku Arian Leka botoi "Në kërkim të këmishës së humbur".
Së fundmi sapo është botuar edhe në Gjermani nga edicioni Propyläen "Ullstein Buchverlage Berlin" antologjia letrare me titull "Glückliche Wirkungen".


Dy fjalë për antologjinë:
Titulli i antologjisë është "Glückliche Wirkungen" dhe është shkëputur nga letërkëmbimi i datës 21 Qershor  1798, mes poetit dhe mendimtarit Johan Woflgand Goethe me poetin tjetër gjerman Friedrich Schiller. Pjesë e antologjisë ku është botuar edhe krijimtaria e Arian Lekës, janë shkrimtarë të njohur dhe të vlerësuar ndërkombëtarisht, si Charles Simic (SHBA), Mircea Cartarescu (Rumani), Jeremy Adler (Britani e Madhe) Stefan Hertmans (Belgjikë), Helene Dorion (Kanada), Serhij Zhadan (Ukraninë), Cécile Wajsbrot (Francë), Colm Tóibín (Irlandë), Gerogi Gospodinov (Bullgari), peter Schneider (Gjermani), Ivana Sajko (Kroaci),  Andrej Nikoladis (Mal i Zi), Karl-Markus Gauß (Austri), Viktor Jerofejew (Rusi), Javier Cercas (Spanjë) etj.


Synopsisi i tregimi "Qeli prej letre": Kjo prozë rrëfen jetën e një prifti-përkthyes (Haxhimihali, emri i personazhit), i burgosur në vitet e diktaturës të cilit, gjatë periudhës së burgut i duhet të përkthejnë në gjuhët e Europës jo letërsinë më të mirë shqiptare, edhe letërsinë e atyre që i kishte shokë qelie dhe që ishin burgosur për shkak të letërsisë. Ai duhet të përkthente me porosi të shtetit letërsinë zyrtare të realizmit socialist, të atyre që nuk ishin në burg, por që as të lirë nuk ishin.
Letërsinë "e lirë", të përkthyer nga Haxhimihali i burgosur, regjimi i përdorte si propagandë, duke e dërguar madje edhe në Panairet Ndërkombërarë të Librit në Europë. Pas lirimit, menjëherë pas rënies së regjimit, Haxhimihalit, tashmë të liruar nga qelia, i vjen propozimi për të hartuar dhe përkthyer një antologji letrare, ku shkrimtarëve të dikurshëm, t'i bashkonte autorët e ndaluar ata që nuk e kishin parë kurrë jo dritën e botimit, por as të diellit, shkrimtarë  që kishin hyrë në burgje, por jo në ndonjë antologji.
Këtu fillojnë dilemat e përkthyesit-prift Haxhimihali: A ishte e drejtë të ishin bashkë, në të njëjtën antologji ata që iu hap gjoksi nga plumbi në zemër, me të tjerët që gjokset iu shpuan nga vrimat e medaljeve të praruara? Si do të ndiheshin në të njejtin libër ata që u lidhën me litarë dhe ata që librat i patën me lidhje speciale dhe të qepur me pe? A duheshin të ishin bashkë në të njëjtin libër, nën të njëjtin kapak? Si mund të ishte titulli i antologjisë? A do i ngante libri një kampi përqendrimi apo kopshtit botanik, të mbushur me lulet utopike? Këto dyshime e shoqërojnë vetminë e Haxhiamihalit, derisa e dorëzon antologjinë. Mes ndjenjës së drejtësisë hyjnore të Bibla që kishte studiuar e që rrëfehente mbi të ujkun që lodron me qengjin, fëmijë që luan me gjarprin në strofullën e tij dhe luanin dhe demin, që ushqeheshin së bashku me kashtë të artë dhe drejtësisë në një shoqëri, së cilës komunizmi i kishte premtuar Mbretërinë e Qiejve, kur të zhdukeshin  klasat dhe lufta mes tyre.

Vlerësime kritike.

Të trija antologjitë ku është botuar krijimtaria e Arian Lekës janë shoqëruar me reçensa dhe shënime vlerësuese.

"Vëllezër në brisk" - Brothers of the Blade

Peter Byrne, nën titullin "Nonstandard Tales From The Real Europe", shprehet: "Arian Leka na tondit me rrëfimin e tij, tek na përball me peshën e përgjegjësisë që mund të rëndojë mbi familjen shqiptare. Veçse një barrë e atillë rëndon po aq edhe në një mori vendesh të tjera europiane. Ështe interesant portretizimi i ndjerë i anoreksisë nga Hilary Mantel, që vëzhgon një familje britanike në kahun "perëndimor" të Europës, ndërkohë që familja te tregimi i Arian Lekës është e njësuar dhe nënkupton "edukim prindëror", ndërsa në Shqipëri ajo merr kuptimin e "detyrimit fisnor".
Brandon Wicks, shkrimtar dhe studiues letrar, duke shkruar rreth antologjisë "Best European Fiction" në "Art & Literature", nënvijëzon: "Vëllimi përfundon me një tekst të shkurtër, ngarkuar me tension të pabesueshem, me tregimin elegant "Vëllezër në brisk" i autorit Arian Leka, ku si në një ritual, personazhi është i detyruar rruajë fytin pa qime të të vëllait në ditën që atë do ta bëjnë dhëndër – një çast i vogël domethënës, i ngarkuar me ankth dhe me dëshirasublime."

Kevin Frazier, kritik dhe shkrimtar, në tekstin botuar në "A Map of Faces", duke parashtruar për lexuesin synopsisin tregimit thekson edhe se "…Në paraqitjen shqiptare, "Vëllezër në brisk" nga Arian Leka, vëllai i madh duhet të rruajë vëllain më të ri në një akt të ndërlikuar përkushtimi dhe keqardhjeje, përshkruar me nëntinguj të dhunshëm dhe që na kujtojnë skenën e të njëjtit rit nga "Benito Cereno" e Herman Melville-it. Vëllai i vogël, një njeri guximtar dhe tërësisht njerëzor, për vite me radhë ka qenë shtylla e familjes, por që tash, kur martohet, i duhet të ndahet prej saj. "Pas gjithe kësaj" - vëllai i madh ngarkohet me dilemën – "…nësë vëllai ynë i vogël nuk do të jetë më babá për ne, cili do të jetë ati ynë i vërtetë? Po unë kush do të jem? Çdo të jemi ne të gjithë, babai, motra, nëna dhe unë vetë, kur ai të mos jetë më ky që është? Kur të mos na përkasë më ne, por njerëzve të tjerë, atyre që sot po bëhen gati të mësyjnë në jetën e tij, duke na flakur ne të gjithëve, familjarëve të tij jashtë nga parajsa jonë." Teksa mediton me brisk në dorë mbi fytyrën e vëllait të vogël, akti na kthen mbrapsht, në të kaluarën e familjes: "…kudo plagë, vraja, blana, lytha të vegjël, gropëza, të çara e vijëzime sa do të mjaftonte vetëm një kalim i pakujdesshëm brisku, që fytyra të lahej në gjak. Dhe sakaq, fëmijëria, koha e pakthyeshme kur ata ishin të pandarë, i kaloi brenda një çasti. Mes gishtërinjve dhe në hapësirën mes dy plagëve iu faneps një tjetër kohë: koha kur ata llangosnin njëri-tjetrin me bojë këpucësh e me kolinoz në gushë, nën hundë e në faqe për t'u bërë sa më shpejt burra me mustaqe të sajuara..." Historia mbyllet me një shënim që do të shërbente si një epigraf për të gjithë përmbledhjen: "Ne ndryshojmë veten për shkak të të tjerëve, ne paguajë çmim të lartë vetëm për të qenë së bashku ..."

"Në kërkim të këmishës së humbur" - Auf der Suche nach dem verlorenen Hemd.
Kleine Zeitung: "Kjo është një ndërthurrje e historisë personale të një fëmije të lindur me këmishë, me historinë e një vendi me zonat e tij më tramautike të tij, si humbja e lirive themelore, fjala, lëvizja, prona, besimi, ateizmi, kolektivizimi (si ironi e globalizimit primitiv) privatja etj. Sa me fat mund të quhej një fëmijë i rritur në një vend absurd si ky…?"



29 May 2017

Interview: Jasna Dimitrijević - POETEKA - Tirana in Between - Writer in Residence PROGRAMME

Jasna Dimitrijević: Të shkruash për të lënët mënjanë


27 May 2017 

Nëse do të kishte dy elemente që do e identifikonin Dimitrijeviç si shkrimtare do të ishte proza e shkurtër dhe subjektet e marra nga jeta margjinale. Tregimet e saj sillen gjithnjë rreth grupeve margjinale; emigrantë, refugjatë, gay, njerëz nga shtresa të varfra, me probleme sociale. 
Tregimtarja serbe flet se si hoqi dorë nga kritika letrare për t'iu përkushtuar krijimtarisë, vështirësitë në botim të një zhanri që nuk përfillet shumë nga botuesit e mëdhenj dhe hapat e ngadaltë për ndërtimin e urave mes letërsisë së dy vendeve, Serbisë e Kosovës... 

Nga Suadela Balliu 

Gjatë studimeve për Letërsi nuk shkroi as edhe një rresht krijimtarie. Ngurrim që e mori me vete për dhjetë vite. Derisa një ditë, u ul përpara kompjuterit për t'u ngritur prej aty me një tregim të shkurtër. E kish mbajtur gjatë brenda vetes për ta çliruar në një ditë të vetme. "Ishte historia e një emigranti në Holandë" kujton Jasna Dimitrijeviç, prozatorja serbe, e cila muajin maj e kaloi si vizitore në kryeqytetin shqiptar, si fituese e rezidencës letrare "POETEKA – Tirana in Between – 2017", program që mbështetet nga rrjeti europian për letërsinë dhe librat – TRADUKI, nuk marrin pjesë Austria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Gjermania, Kosova, Kroacia, Lihtenshtejn, Mali i Zi, Maqedonia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Zvicra.
Kanë kaluar shtatë vite nga ai tregim i shkruar, që më pas u përkthye edhe në gjuhën gjermane, e prej atëherë ajo ka botuar librin e parë me tregime "Prepoznavanja" (Njohje) dhe pret të botojë së shpejti të dytin, sërish me tregime. Nëse do të kishte dy elemente që do e identifikonin Dimitrijeviç si shkrimtare do të ishte proza e shkurtër dhe subjektet e marra nga jeta margjinale. "Në Serbi tregimet nuk janë trend, që të bësh emër në fushën e letrave duhet të shkruash një roman. Është pak ofenduese kur njerëzit më thonë shpesh kur unë u them kam botuar një libër, reagimi është: "Oh, një roman!" Jo, u them, me tregime. Pastaj thonë -dhe kjo është më fyesja- "Kur do e presim romanin?". Dhe unë u them: "Kurrë". Nuk jam njeri romanësh. E di se tregimet janë sfond për roman. Mund të jenë romanë, por përse duhet?! Dua të eksploroj më shumë në tregime". Tregimet e saj sillen gjithnjë rreth grupeve margjinalë; emigrantë, refugjatë, gay, njerëz nga shtresa të varfra, me probleme sociale. "Janë histori vendëse, me sfond në Serbi apo në rajon. Sigurisht që pas tyre ka diçka rreth shoqërisë dhe politikës".
Megjithëse ka qenë aktiviste në organizata me bazë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, nuk e quan veten të tillë, kur e pyet mbase është ky ndikimi i fortë mbi prozën e saj. "Nuk e quaj veten aktiviste. Jam në disa raste, por kur e them më duket sikur gënjej. Nuk jam gjithnjë aktive. Ka kohë që e kaloj në izolim, kur nuk dua të di se çfarë ndodh me shoqërinë apo me botën dhe nuk mendoj se jam gjithnjë gati të merrem me probleme sociale apo padrejtësi, por është gjithnjë diku në mendjen time dhe në sfond të prozës sime. Jam e ndikuar gjithnjë nga këto subjekte" –thotë ajo, duke shtuar se mendon se përmes trillit të saj letrar, i duket se po gjen zgjidhje të problemeve në botë. "Së pari, dua të bëj veten njeri më të mirë përmes letërsisë sime", thotë ndërsa shton se këtë nuk e ka deklaruar kurrë më parë, e aq më pak në gjuhën angleze, si i vetmi mjet komunikimi mes dy njerëzish në Ballkan, ku e intervistuara nuk di shqip e as intervistuesja nuk njeh kurrfarë fjale në serbisht. Mesazhi që përçon ecën gjithnjë me dëshirën për të bërë art. Ajo nuk e harron qëllimin apo ambicien për të qenë shkrimtare. "Unë dua të krijoj art, së pari. Stili dhe kompozicioni është shumë i rëndësishëm për mua. Kështu gjej mënyrën si ta them një mesazh. Kur ka vetëm një mesazh të thjeshtë, nuk dua të botohet. Kjo është më shumë një empati sesa mesazh". Një nga tiparet dalluese të të shkruarit të saj, është dëshira për ta ditur gjithnjë fundin e një tregimi. "Nuk ulem të shtyp pa e ditur fundin". Edhe pse mund të tingëllojë si e fiksuar për të pasur gjithçka nën kontroll, jashtë spontanitetit, nuk i shpëton dot njëjtësimit me personazhet. "Shpesh e vendos veten në pozitën e karakterit kryesor që është i shtypur, ndonjëherë në petkat e dikujt që po shtyp. Ndonjëherë më ndodh të shkruaj në vetë të tretë dhe ato janë momentet ku bëhem shumë emocionale dhe duhet ta shkëpus veten nga personazhi. Por më pëlqen kur shkruaj në vetë të parë, sepse mund të jem më ironike dhe kur jam ironike me personazhin në vetë të tretë duket si cinike dhe moralizuese, e moralizimin përpiqem ta shmang". Të shkruarit e sheh si një rrugë për të kuptuar botën, për ta parë në një kënd ndryshe, për të hyrë në lëkurën e një tjetrit. "Ndonjëherë iu jap personazheve diçka nga kujtimet e mia personale, mendime, objekte, sende dhe kur ia dedikoj një personazhi të keq është e dhimbshme por dua ta bëj, si për shembull t'i jap këngën e fëmijërisë një njeriu të keq". Përpara se të njihej si shkrimtare, Jasna Dimitrijeviç njihej si kritike letrare. "Kam shkruar kritikë letrare, më shumë reviews, sepse ishte një pozicion pak i vështirë të shkruaj kritikë, ndërsa po përpiqem të jem vetë shkrimtare. Në një pikë, kuptova se isha shumë e butë me ta dhe ishte shumë keq për kritikën, por edhe për mua. Kështu që hoqa dorë". Ka kontribuuar në kolonën e kritikës letrare në revistën serbe "Beton" e më pas në revistën kroate "Booksa". "E lashë sepse doja të bëja diçka që të më përmirësonte mua si lexuese, njeri dhe shkrimtare dhe jo të lexoj gjithçka, edhe letërsi të keqe. Pikërisht në kohën kur hoqi dorë nga të shkruarit kritikë letrare lindi zyrtarisht shkrimtarja. Libri i saj i parë me tregime u botua pasi u shpall fitues i vendit të parë në konkursin e krijimtarisë në dorëshkrim, organizuar nga Biblioteka Karlo Bijelicki (Sombor), si dhe u përzgjodh në shortlistën e librave më të mirë që konkurronin për çmimin kombëtar Biljana Jovanoviç dhe Dusan Vasiljev (2015), e prej këtej më pas u bë fitues i çmimit Mirko Kovaç për shkrimtarët e rinj, në hapësirën e ish-Jugosllavisë.
"Tani po punoj për një libër të ri. Kam pesë e gjashtë tregime dhe i kam lënë vetes një afat, deri të dielës, sepse të hënën kthehem në shtëpi dhe dua ta kem gati për ta çuar te botuesit. Erdha këtu me idenë për të shkruar tregime rreth punëve të reja, të shpikura këto 20 vitet e fundit". Kur flet për këto punë apo 'profesione' që ajo i quan të reja ka parasysh ata që punojnë si audiencë në talk show, ata që paguhen për ti bërë pazarin në market dikujt, një maskotë, një shkrues anonim i komenteve pozitive për një kompani në rrjetet sociale. "Këta shkrues anonimë shpesh përdoren nga politikanët dhe në Serbi, shpesh tallemi me këtë fenomen, duke i quajtur këta njerëz botë, shkurtim i robotë. Këto tregime ka dy vjet që i mbaj me vete. Po punoja mbi diçka tjetër, por këto subjekte ishin në mendje dhe nuk mund t'i shmangia. Kam qenë gjithnjë e magjepsur nga një fenomen matematikor si Sekuenca e Fibonaçit dhe shkrova një tregim me këtë titull. Kështu dua ta titulloj edhe librin, por varet nga botuesit". Si kritike letrare i kanë rënë në duar autorë jo vetëm serbë, por të hapësirës ish-jugosllave, ndërsa si lexuese, letërsinë shqipe e njeh pak. "Nga Shqipëria i përkthyer është vetëm Kadareja", thotë ajo, ndërsa nga fqinjët, autorë të Kosovës rrëfen se ka lexuar disa, ndër ta Veton Surroin për të cilin shprehet se fare mirë mund të kuptohej e perceptohej nga lexuesi serb. "Kam lexuar gjithashtu një libër nga Dori Basha dhe Red Bajraj që ishte i pari i përkthyer pas luftës. Kam lexuar edhe poezi nga Arben Idrizi. Gjuha është një tjetër mur me Kosovën. Ndaj patëm idenë e konkursit "Biber". Deshëm ta thyenim atë barrierë e të gjenim një shteg". Jasna Dimitrijeviç ishte bashkë organizatore e konkursit të parë "Biber", mbi tregimin më të mirë shkruar rreth pajtimit, konkurs i organizuar për tregimet e shkruara në gjuhën shqipe, maqedonase, boshnjake, malazeze, kroate dhe serbe, ku nga Shqipëria konkurrente ishte shkrimtarja e re Lindita Komani.
"Me vendet e tjera të rajonit mbajmë kontakte nëpërmjet festivaleve të ndryshme letrare, por na ndihmon edhe gjuha. Në Kosovë është festivali "Polip" dhe mendoj po ndodh diçka, një urë. Po shkojmë diku por me hapa të vegjël, shumë të vegjël". Deri tani nismat thotë ajo vijnë nga individë, ndërsa shteti vetë nuk ka ndërmarrë ndonjë të tillë që do i afronte dy vendet, të paktën përmes artit. Në Tiranë është hera e parë që vjen dhe thotë se qytetin, për thuajse një muaj ka mundur ta njohë duke u futur në rrugicat e panjohura, aty ku ka pak luks e më shumë varfëri. "Kjo e bën qytetin të gjallë dhe kjo më shijon. Një ditë udhëtova drejt Shkodrës dhe pata një përvojë të paharrueshme. Njoha një grua rreth të tetëdhjetave, ulur pranë meje. Biseduam gjatë gjithë rrugës dhe u morëm vesh për bukuri, vetëm me duar. Ajo më pyeti nga vija dhe unë i tregova, më pyeti në isha e martuar dhe më qortoi pse isha veshur aq hollë pasi binte shi dhe ishte ftohtë e më pas u përpoq të më ngrohte. Mendova: "Ajo grua është Ballkani!". Mendoj se do shkruaj diçka rreth kësaj ndodhie", përfundon ajo. Lexuesit shqiptar krijimtaria e saj deri më tani i ka ardhur në formën e poezive të përkthyera nga Qerim Ondozi dhe botuar online në faqen e Facebook të Poetekës. "Por nuk mund të them se jam poete. Më duket sikur po gënjej. Shkruaj poezi vetëm kur nuk shkruaj dot një tregim të shkurtër, kur kam disa materiale por nuk janë mjaftueshëm për një tregim e kështu shkruaj një poezi. Tregimi i shkurtër është formati im, aty ndihem vetja dhe për këtë jam e emocionuar. Nuk dua ta lë tregimin e shkurtër, nuk dua të shkruaj roman e as poezi. Mendoj se kam qenë gjithnjë aty, te tregimi", përfundon Dimitrijeviç, e cila duket se nuk do i ndahet as prozës së shkurtër e as subjekteve që vijnë nga margjinat. Mbase janë më të çiltër, mbase prekin më shumë në thelb të problemeve sociale, mbase krijojnë më shumë empati, mbase të tilla personazhe është e lehtë t'i gjesh kudo, pavarësisht gjuhës, pavarësisht vendeve nga vijnë…

https://www.mapo.al/2017/05/jasna-dimitrijevic-te-shkruash-per-te-lenet-menjane/1

Total Pageviews